Gjykata Speciale

Refuzohen 5 dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja e Pjetër Shalës


Pjeter Shala

Trupi gjykues në rastin ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, të premten e 25 gushtit, ka refuzuar pesë dëshmitarë që mbrojtja i kishte ofruar për të dëshmuar në procesin e gjykimit që po mbahet në Hagë, ku Shala po akuzohet për krime lufte.

Mbrojtja është udhëzuar nga trupi gjykues që të dorëzojë një listë të përditësuar të dëshmitarëve, dhe kjo të bëhet deri më 29 gusht.

“Mbrojtja ka thënë se i duhen 48.5 orë për të marrë në pyetje dëshmitarët e saj, pas heqjes nga lista e të pesë dëshmitarëve, trupi gjykues konstaton se është e përshtatshme të jepen 40.5 për mbrojtjen për paraqitjen e provave të veta. Kjo nuk cenon faktin që turpi gjykues të rishikojë kohën e dhënë”, ka thënë kryegjykatësja Mappie Veldt Foglia.

Këto janë bërë të ditura në konferencën përgatitore që po mbahet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në këtë konferencë është duke marrë pjesë përmes videolidhjes edhe Pjetër Shala.

Shala, sipas aktakuzës akuzohet se ka kryer katër lloje të veprave penale gjatë luftës, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Versioni i parë i aktakuzës kundër Pjetër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe aktakuza e konfirmuar e korrigjuar u dorëzua më 1 nëntor 2021.

Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

Ndryshe gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betimin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore