Lajme

Referendumi i dështuar në Veri, Ambasada britanike: Kryetarët shqiptarë të vazhdojnë punën  


Ilustrim: Erden Atiq, Lulzim Hetemi, Ili Peci dhe Izmir Zeqiri

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, ndërsa ka shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe për të bojkotuar fazën e dytë të procesit të shkarkimit të kryetarëve në Veri të Kosovës, ka potencuar se rezultati e 21 prillit nënkupton se kryetarët shqiptarë në Veri të do vazhdojnë të kryejnë punët e tyre.

“Na vjen keq për vendimin e Listës Serbe”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për Radio Televizionin e Kosovës.

Në vlerësimin e tyre bojkoti në përgjithësi është pengesë për demokracinë.

“Megjithatë, votat u zhvilluan në mënyrë të sigurt dhe në përputhje me ligjin. Rezultatet nënkuptojnë se katër kryetarët e komunave do të vazhdojnë t’i shërbejnë mandatet e tyre dhe ne i nxisim ata të kryejnë detyrat e tyre duke pasur parasysh nevojat dhe interesat e komuniteteve të tyre”, ka potencuar Ambasada.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi të dielen në mbrëmje se kriteri prej 50 për qind plus një votë në katër komunat veriore të vendit – Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – nuk është përmbushur dhe rrjedhimisht, mini-referendumi kushtetues për largimin e katër kryetarëve shqiptarë nga pozita udhëheqëse u shpall i dështuar.

Një numër i vogël i qytetarëve në komunat veriore shfrytëzoi të dielen të drejtën e votës për të votuar për ose kundër shkarkimit të kryetarëve aktual. Në kulmin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, partia kryesore e serbëve të Kosovës vendosi që edhe njëherë t’u bëjë thirrje qytetarëve të komunitetit serb në veri që të mos u përgjigjen proceseve demokratike në vend.

KQZ-ja njoftoi se në Leposaviq votuan 124 qytetarë nga rreth 13 mijë me të drejtë vote apo 0.91 për qind, në Zubin-Potok votuan 18 qytetarë nga rreth 6 mijë me të drejtë vote apo 0.26 për qind, në Zveçan nuk votoi asnjë qyetar, ndërsa në Mitrovicë të Veriut votuan 111 qytetarë nga rreth 18 mijë me të drejtë vote apo 0.59 për qind – nuk është shënuar asnjë incident i vetëm.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në “Facebook” pas përfundimit të procesit të votimit në veri, tha se autoritetet kosovare ua dhanë qytetarëve serbë mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktualë dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj, por që ata nuk e shfrytëzuan të drejtën e votës, duke drejtuar gishtin nga Serbia për daljen e ulët të qytetarëve në votime.

“Rezultatet e votimit të sotëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë. 20 për qind të votave të mbledhura nga Lista Serbe për peticionin për të inicuar këtë proces, nuk rezultuan më shumë se aq. Serbia e ka parë që mund t’i mbledh 20 për qind por jo edhe 50 për qind”, deklaroi kreu i ekzekutivit, derisa sugjeroi që t’u urohet pozita kryetarëve.

Kryeministri Kurti kërkoi nga Bashkimi Evropian (BE) që menjëherë t’i largojë masat kufizuese ndaj Kosovës të vendosura në qershor të vitit të kaluar për shkak të përshkallëzimit të tensioneve në pjesën veriore të vendit, ndonëse ndër kushtet e BE-së për largimin e masave kufizuese është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri, por jo organizimi i referendumit.

“Mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktual dhe mbajtja e zgjedhjeve për shkarkim ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e BE-së. Këto masa të padrejta, pas votimit të sotëm, duhet

larguar sa më parë”, shkroi ai, duke shtuar se procesi zgjedhor i 21 prillit është dëshmi e ambientit të përmirësuar të sigurisë dhe sundimit të ligjit në veriun e trazuar.

Pas dëshitimit të inciativës së vetë qytetarëve serbë, ku nuk morën pjesë më shumë se gjysma e trupit elektoral në secilën komunë, reagoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke konsideruar se për shkak të presionit të autoriteteve serbe, serbët kosovarë nuk shfrytëzuan mundësinë që nëpërmjet votës t’i largojnë kryetarët shqiptarë nga udhëheqja komunale.

“Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Serbisë e të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër”, potencoi shefja e shtetit nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielen në mbrëmje.

E Lista Serbe e kategorizoi “farsë” organizimin e votimeve në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe për largimin e katër kryetarëve shqiptarë që u zgjodhën në prill të vitit të kaluar, duke kërkuar nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare t’i marrë parasysh “disa gjëra” në periudhën e ardhshme rreth procesit që nisi mëngjesin e 21 prillit.

Ajo e cilësoi “thellësisht të drejtë” thirrjen që i bëri komunitetit serb që të mos marrëpjesë në procesin e votimeve për shkarkimin e kryetarëve komunalë, duke pretenduar ta ketë kuptuar “lojën e regjimit” të kryeministrit Kurti, i cili, sipas partisë që dirigjohet nga Serbia, krijoi vetë kushtet për dështimin e votimit për shkarkimin e “kryetarëve të rremë” të komunave.

“Ne duam të ritheksojmë qartë se ishim më se të gatshëm të merrnim pjesë në këtë proces për të zëvendësuar këta kryetarë të rremë në komunat tona, por ne nuk donim të luanim lojëra të drejtuara nga regjimi në Prishtinë”, pretendoi Lista Serbe, derisa shtoi se bojokotimi i votimit tregoi “një shkallë të lartë të unitetit të popullit serb” kundër autoriteteve kosovare.

“Dita e sotme tregoi një shkallë të lartë të unitetit të popullit serb, i cili qëndroi konsistent ndaj vetvetes, por edhe dëshmoi se nuk është Lista Serbe dhe Serbia që janë duke i frikësuar serbët, por Kurti dhe njësitë e tij ilegale parapolicore, diçka që rezultoi në rrugë të zbrazëta në veri të Kosovës sot”, shtoi ndër të tjera struktura kryesore (para)politike e serbëve të Kosovës.

E për pasojë, kryetarët aktualë shqiptarë – Lulzim Hetemi, Izmir Zeqiri, Ilir Peci dhe Erden Atiç – nuk do të mund të largohen nga pozita nëpërmjet iniciativës qytetare për 12 muajt e ardhshëm – minimalisht deri në maj/qershor të vitit 2025. Ata do të jenë “udhëheqës me ‘u’ të vogël”, deklaroi kryeministri Kurti në maj të vitit të kaluar kur veriu u përfshi në trazira.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore