Lajme

Rebelimi i Wagner-it tregoi se fuqia ushtarake e Moskës po ‘plasaritet’, thotë Borrell


Rebelimi i ndërprerë në Rusi në fundjavë tregoi se lufta e Moskës në Ukrainë po shkakton mungesë stabiliteti të brendshme dhe po minon fuqinë ushtarake.

Kështu kanë thënë ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian teksa kanë theksuar se fokusi i tyre mbetet në mbështetjen e Kievit.

Forcat mercenare Wagner nën udhëheqjen e Yevgeny Prigozhin morën kontrollin e selisë ushtarake në Rusinë jugore dhe filluan të lëvizin drejt Moskës të shtunën përpara se të ktheheshin papritur në Ukrainën lindore pas një marrëveshjeje me Kremlinin.

“Sistemi politik po tregon brishtësi dhe fuqia ushtarake po plasaritet”, ka thënë në Luksemburg shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ndërsa mbërriti për një takim me ministra nga i gjithë blloku.

“Nuk është gjë e mirë të shohësh se një fuqi bërthamore si Rusia mund të kalojë në një fazë të paqëndrueshmërisë politike”, ka thënë Borrell.

Ai po ashtu Ka shtuar se ky ishte momenti që BE-ja të vazhdojë të mbështesë Ukrainën më shumë se kurrë.

Sipas Borrell, presidenti rus Vladimir Putin po paguan çmimin për krijimin e një “përbindëshi” me grupin mercenar Wagner të Prigozhin.

“Përbindëshi që krijoi Putin me Wagner-in, po e kafshon tani, përbindëshi po vepron kundër krijuesit të tij”, ka thënë ai.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock ka thënë se Putin-i po shkatërron vendin e tij me luftën brutale të agresionit në Ukrainë.

“Ne po shohim çarje masive në propagandën ruse”, ka shtuar ajo.

Sipas Baerbock, BE-ja do të fokusohet në ndihmën e Ukrainës në luftën e saj për t’i lënë njerëzit të jetojnë në paqe dhe liri.

Sakaq, ministrat kanë theksuar se rebelimi ishte një çështje e brendshme ruse, pa përfshirje të jashtme.

Por ata e kanë bërë të qartë se kishte implikime përtej kufijve të Rusisë.

“Do të ishte absolutisht e rrezikshme për Evropën nëse vendi më i madh në botë me arsenalin më të madh të armëve bërthamore do të shkatërrohej”, ka thënë ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn.

Kurse ministri i Jashtëm austriak Alexander Schallenberg ka thënë se Putin-i duhet të ndjekë shembullin e Prigozhin dhe të “kthehet”.

Ministrja e Jashtme finlandeze Elina Valtonen ka thënë se ngjarjet e fundjavës treguan se mbajtja e Putin-it në pushtet nuk është aq e fortë sa dukej.

“Është e zakonshme për shtetet autoritare që gjithçka duket të jetë shumë e qëndrueshme derisa një ditë, asgjë nuk është më e qëndrueshme. Dhe unë pres një zhvillim të tillë edhe për Rusinë”, ka thënë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore