Lajme

Rebelët Houthi sulmojnë aeroportin saudit


Rebelët Houthi në Yemen kanë sulmuar një aeroport saudit me anë të një droni. Ngjarja ndodh një ditë pas refuzimit të paktit të armëpushimit që ofroi qeveria e Arabisë Saudite. Sipas shkresës saudite, ajo ishte një përpjekje për t’i dhënë fund luftës gjashtë vjeçare.

Zëdhënësi për shtyp i Houthi-ve, Yahya Sarea, tha se aeroporti i Abha-s ishte shënjestra e sulmit. Ai ndodhet në pjesën jugperëndimore të Arabisë Saudite. Sulmi u përshkruar nga Sarea si “një goditje e saktë”.

“Sulmi vjen brenda kornizës së një përgjigje legjitime dhe natyrale ndaj përshkallëzimit të agresionit saudit”.

Sarea i referohet nëpërmjet kësaj deklarate koalicionit ushtarak të kryesuar nga Arabia Saudite. Prej vitit 2015, ata luftojnë ndaj Yemen-it.

Në javët e fundit, ka pasur një shtim të sulmeve me dron nga ana e Houthi-ve drej sauditëve.

Të hënën e 22 marsit, këta të fundit ofruan një traktat paqeje dhe armëpushimi midis vendeve. Këtu do të përfshihej edhe mbikëqyrja nga Kombet e Bashkuara apo rihapja e aeroportit të Sana-s.

Ky propozim gjithsesi u cilësua si jo serioz nga rebelët e Yemen-it.

Prej vitit 2014, Yemen-i është përballur me një pamundësi për të krijuar qeverinë e vet. Nga njëra anë, sauditët me aleatët mbështesin një qeveri të formuar e cila kontrollon pjesën më të madhe të vendit. Rebelët Houthi nga ana tjetër, mbështeten nga Irani dhe kontrollojnë pjesën perëndimore të Yemen-it.

Situata në shtetin e gjendur në Lindjen e Mesme, është cilësuar nga presidenti amerikan Joe Biden si “katastrofa më e madhe humanitare në planet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore