Sport

Reagon Ramos pasi u la jashtë Botërorit: Dielli do të lindë përsëri


Sergio Ramos u la jashtë Kupës së Botës nga kombëtarja e tij, Spanja, më konkretisht nuk u thirr nga trajneri Luis Enrique.

Disa ditë pas publikimit të listës, ka reaguar edhe vetë qendërmbrojtësi i Paris Saint-Germain, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se do të ishte ëndërr e madhe për të që të luante edhe në Botërorin e Katarit.

“Ishte një nga ato ëndrrat e mëdha që kisha ende për të përmbushur. Do të ishte e pesta, por, fatkeqësisht, do të më duhet ta shikoj nga shtëpia”, shkruan Ramos në Instagram.

“Është e vështirë, por dielli do të lindë përsëri. Unë nuk do të ndryshoja asgjë tek vetja. As mentalitetin tim. As pasionin tim. As angazhimin dhe përkushtimin. 24 orë jam duke menduar për futbollin”, shtoi Ramos.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Sergio Ramos (@sergioramos)

“Kështu ndihem dhe doja ta ndaja me të gjithë ju. Faleminderit për mbështetjen. Ka shumë sfida dhe objektiva të tjera përpara”.

“Shihemi së shpejti. Përpara Spanja”, shkruan mes tjerash Ramos sa i përket mos-thirrjes së tij në Kupën e Botës.

Ramos është aktualisht në sezonin e tij të dytë te PSG. Dëmtimet e kushtëzuan formën e tij gjatë sezonit të parë në klubin parisien.

“Sezoni i kaluar ishte i vështirë, për shkak të dëmtimeve dhe përshtatjes me një klub të ri dhe një qytet tjetër. Kam punuar me trup dhe shpirt për t’u rikuperuar dhe për t’u ndier sërish në formë”, ka thënë Ramos për formën e tij.

Kujtojmë që në të kaluarën, Ramos ka luajtur katër herë në Kupën e Botës me kombëtaren e tij, ku në një rast triumfoi.

Ish-mbrojtësi i Real Madrid-it ishte pjesë zinxhirë e skuadrave të Spanjës, derisa me kombëtaren A numëron plot 180 ndeshje zyrtare dhe 23 gola.

Përveç Kupës së Botës, Ramos me Spanjën e ka fituar edhe dy herë Kampionatin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore