Lajme

Rasti “Veteranët” sërish do të trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda


Foto: Ilustrim.

Më 6 shtator të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marr aktvendim me të cilin ka vendosur se kompetent në aspektin lëndor, për zbatimin e procedurës në çështjen penale “Veteranët” është Departamenti për Krime të Rënda.

Kryetarja e Gjykatës, Albina Shabani Rama, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, lidhur me konfliktin e kompetencës lëndore në mes Departamentit Special dhe Departamentit për Krime të Rënda ka konstatuar se kompetent në aspektin lëndor.

“Në rastin lëndor konstatohet se Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka marr aktgjykimin me date 16 prill 2021, ndërsa Gjykata e Apelit e Kosovës me aktvendimin të datës 21 mars 2022, lëndën e ka kthyer në rigjykim dhe vendosje”.

Një protest e veteranëve.

“Andaj, në rastin konkret meqenëse është mbajtur shqyrtimi fillestar e madje është nxjerr edhe aktgjykimi i lartcekur, lënda do të vazhdojë të shqyrtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda të kësaj gjykate”, thuhet në aktvendim.

Në këtë rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Speciale i kishte propozuar gjykatës, që të lëshnote masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore