Lajme

Rasti Mehmetaj – KMDLNj: Kështu dënoheshin shqiptarët dhe kundërshtarët politikë në ish-Jugosllavi


Ilustrim

Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNj) përmes një reagimi publik i ka cilësuar si standard të dyfishtë në sistemin e drejtësisë, çështjen e kallëzimit penal ndaj kryeredaktorit të Albanian Post, Lirim Mehmetaj, meqë në vlerësimin e tyre gjysma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kabinetit qeveritar dhe së paku 8 deri në 10 analistë do të duhej të ftohen nga kjo Prokurori për vepra shumë më të rënda.

“Mjafton të përcillen debatet televizive dhe postimet në Facebook si dhe në portale të shumta pas së cilave një Pavijon i Burgut në Dubravë do të rezervohej për këto raste”, potencohet në komunikatë.

Duke komentuar veprën penale mbi të cilën akuzohet gazetari Mehmetaj nga Prokuroria, KMDLNj, vlerëson se ky vepër është i barasvlershëm me veprën penale në kohën e Jugosllavisë që cilësohej si Propagandë Armiqësore.

“Me këtë ligj dënoheshin kryesisht shqiptarët dhe kundërshtarët politikë të regjimit komunist të atëhershëm. Gazetari Lirim Mehmetaj bëri hulumtime dhe nxori materiale nga arkiva për ish – bashkëpunëtorët e regjimit jugosllav dhe serb, pasardhësit e të cilëve janë në majat apo institucionet e rëndësishme të regjimit aktual”.

“Prokuroria u tregua shumë e shpejtë në reagim ndaj gazetarit Mehmetaj, pas denoncimit nga një person i paidentifikuar deri më tani në ndërkohë që nuk reagoi fare ndaj trajtimit publik puro racist ndaj gazetarit Mehmetaj nga një ‘analist’ i regjimit, ditë më parë për shkak të prejardhjes territoriale nga vjen Lirim Mehmetaj”.

Ndër të tjera në komunikatën e lëshuar për media të mërkurën, KMDLNj, ka konsideruar rastin e Mehmetaj si përndjekje e motivuar politikisht për t’ia pamundësuar “bërjen publike të së vërtetës për një të kaluar kompromituese të një pjese të regjimit aktual”.

“KMDLNj-ë e sheh si të domosdoshme miratimin e një Ligji të Lusracionit të Figurave Publike për t’ u sqaruar e kaluara dhe për t’iu hequr mundësia që personat e komprometuar politiksht dhe kombëtarisht të bartin poste publike. Po të bëhej ky veprim, nuk do ta kishim fare rastin Lirim Mehmetaj”, thuhet tutje në reagim.

Prokuroria paralajmëron hetim mbi rastin Mehmetaj: Prokurorja mund t’i ketë tejkaluar kompetencat jashtëligjshëm

Ndryshe Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi nëpërmjet një komunikate për shtyp të mërkurën se në çështjen e kallëzimit penal ndaj kryeredaktorit të Albanian Post, Lirim Mehmetaj, do të analizohen dhe vlerësohen veprimet e prokurores së rastit që mund t’i ketë tejkaluar kompetencat jashtëligjshëm.

“Megjithatë, në situatën konkrete, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, do të analizoj veprimet e prokurores së rastit për këtë çështje dhe do të vlerësoj nëse eventualisht ka tejkalim të kompetencave që nuk janë në përputhje me ligjin”, u tha në njoftimin e prokurorisë.

Reagimi i Prokurorisë Themelore në Prishtinë erdhi pas ftesës që u dërgua të martën në adresën e kryeredaktorit të Albanian Post për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit” pas dorëzimit të një kallëzimi penal ndaj Mehmetaj nga pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet.

Në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë thuhet ndër të tjera se Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar për respektimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të tjera të njeriut të cilat janë të garantuara në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi. E për këtë çështje reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke e cilësuar alarm për demokraicinë.

“Derisa AGK është në pritje të informacioneve zyrtare, thirrja e tillë ndaj një gazetari është alarm për një shoqëri demokratike, siç pretendon të jetë Kosova. AGK-ja do të kërkojë informacione zyrtare dhe do ta ndjekë nga afër të enjten këtë zhvillim të pashembullt të sistemit të drejtësisë në Kosovë”, u tha në reagimin e AGK-së pas ftesës së prokurorisë për Mehmetajn.

Për “terroristin” e shkronjave, Lirimin, për Albinin dhe Rukijen, Albulenën dhe Dejonën e dashur

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore