Lajme

Rasti i mbrëmshëm na shpërfaq sistemin e brishtë të institucioneve të sigurisë, thotë Halimi


Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi.

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, duke komentuar rastin tragjik që ndodhi në orët e vona të së premtes në “Bon Vivant”, ku si pasojë një person ka vdekur dhe disa janë lënduar, ka thënë se ngjarje të tilla po e shpërfaqin sistemin e brishtë të sigurisë.

Përmes një postimi në Facebook, Halimi fillimisht tha se “gangsterizmi po shndërrohet në mënyrë jetese për shumë të rinj në Kosovë dhe në mënyrë indirekte është duke u përbrendësuar në shoqërinë tonë”.

“Ky botëkuptim dhe sjellje promovohet kudo, por vështirë t`i vihet përball një model tjetër identitar, ai i qytetarit të edukuar mirë, që e shquajnë vlerat humane dhe solidarësia qytetare”.

Prandaj, pohon ajo, “funksionimi efikas i mekanizmave të rendit dhe ligjit është pa alternativë”.

“Rasti i mbrëmshëm na shpërfaq sistemin e brishtë të institucioneve të sigurisë. Personat të cilat janë të përndjekur nga drejtësia vazhdojnë të bredhin të lirë qyteteve tona dhe natyrisht epilogu është një tragjedi e tillë, kur grupe të rinjsh përplasen si në një shesh beteje”.

Ndërkaq, zëdhënësja e LDK-së shtoi se tragjedia e së premtes “na ka tronditur të gjithëve”, pasi që vlerëson se “rendi dhe ligji po cenohen rëndë, nga grupe të organizuara që nuk hezitojnë të përdorin armë në ambiente urbane”.

“Qytetarëve duhet t`u ofrohet siguri në qytetin e tyre që të mos lihen si kolateral, nën mëshirën e grupeve rivale”.

Ndryshe, në rastin tragjik të orëve të vona të së premtes në një nga lokalet më të famshme të kryeqytetit “Bon Vivant”, ku si pasojë një person ka vdekur dhe disa të tjerë janë lënduar, pas të shtënave me armë dhe përplasjeve fizike, kanë qenë të përfshirë edhe eksponentë të botës së krimit dhe që janë të kërkuar ndërkombëtarisht.

Në këtë ngjarje i vdekur ka mbetur 39 vjeçari nga Komuna e Drenasit, Kastriot Ramadani.

Të dyshuar se kanë marrë pjesë në këtë ngjarje, sipas raportimeve të mediave, janë; Andi Pajaziti, i njohur me nofkën “Italiani”, si dhe Dukagjin Nikollaj, i njohur me nofkën “Duka”.

Siç raportohet, Pajaziti apo “Italiani”, është kapur nga policia, pasi që i njëjti është plagosur dhe ndodhet në spital, ndërsa Dukagjin Nikollaj, ka arritur që të shmanget dhe ndodhet në arrati.

Ndërsa, Nikollaj është i kërkuar nga FBI, i dyshuar si pjesë e bandës “Krasniqi Organization”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore