Sport

Rashica afër transferimit në Galatasaray


Futbollisti i Kosovës, Milot Rashica, është pranë transferimit te gjigandi turk, Galatasaray.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat turke, sipas të cilave ylli kosovar është pranë marrëveshjes me klubin turk.

Mediumi turk, “Skorer” shkruan se marrëveshja e transferimit tashmë është kryer, me klubin turk që do të paguajë 3.5 milionë euro në arkat e klubit të Norwich-it për shërbimet e yllit të Kosovës.

Rashica thuhet se do ta nënshkruajë një kontratë tre-vjeçare, që do ta mbajë në Stamboll të paktën deri në verën e vitit 2025.

Ylli kosovar nuk ishte i grumbulluar fare me skuadrën e tij, Norwich-in në tri ndeshjet e fundit.

Kujtojmë që për shërbimet e 26-vjeçarit, klubi anglez shpenzoi 11 milionë euro për ta transferuar atë nga Werder Bremen në verën e vitit 2021.

Ndërsa në Werder, Rashica kaloi dy sezone e gjysmë, ku pati paraqitje shumë të mira, prej se ishte transferuar nga skuadra holandeze, Vitesse.

Miloti karrierën e nisi te skuadra kosovare, Vushtrria, derisa nga aty u transferua në futbollin holandez në vitin 2015 për 300 mijë euro.

Ai është një nga lojtarët kryesorë në kombëtaren e Kosovës, ku deri më tani numëron 43 ndeshje me tetë gola të realizuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore