Lajme

Raportohet se Brnabiç ka shprehur rezerva në Bruksel për obligimet e Serbisë ndaj Marrëveshjes Bazë


Ana Brnabiç

Serbia, gjegjësit kryeministrja, Ana Brnabiç, ka shprehur rezerva për deklaratën e miratuar në Samitin e së mërkurës në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian në pjesën e cila ka të bëjë me obligimet e saja për zbatimin e Marrëveshjes Bazë.

Ndonëse pas Samitit BE – Ballkani Perëndimor është thënë se të gjitha vendet e rajonit janë pajtuar për deklaratën e miratuar në samit, mediat serbe, raportojnë se Brnabiç ka vënë rezerva, për siç thonë ata në mbrojtje të interesave të Serbisë si mosnjohja dhe mospranimi i Kosovës si anëtare e Kombeve të Bashkuara, si dhe anëtare e sistemit të organizatave dhe agjencive të OKB-së.

Në rezervat e shprehura nga ana e Brnabiç, siç raportohet, Serbia ka bërë të qartë se Kosova mbetet pjesë integrale e Republikës së Serbisë në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Më tej theksohet se rezervat e shprehura të Brnabiç kanë të bëjnë edhe me pjesën e obligimeve për zbatimin e Marrëveshjes me Kosovën.

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi i zbatimit, siç i referohet në këtë deklaratë, konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshin de facto apo de jure njohjen e Kosovës”, thuhet në dokumentin ku Serbia ka shprehur qëndrimin e saj.

Në Deklaratën e miratuar të mërkurën mbrëma në Bruksel nga liderët e BE-së dhe ata të Ballkanit Perëndimor u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta zbatojnë pa parakushte dhe në tërësi këtë marrëveshje.

“U bëjmë ftesë të dyja palëve që në tërësi ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin e zbatimit të tij, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, thuhet më tej në pjesën që u kushtohet raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kësisoj ky qëndrim i Serbisë e vë në dyshim edhe pranimin nga ana e saj të obligimeve që dalin nga Marrëveshja Bazë pasi në to përfshihet edhe moskundërshtimi për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe respektimi i integritetit territorial.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore