Lajme

Raporti i ri i OKB-së: Një në 5 fëmijë ndjehet në depresion


Në të gjithë botën, afro një në pesë 15-24-vjeçarë thonë se shpesh ndihen në depresion, sipas një raporti të ri të OKB-së.

Përgjatë gjashtë muajve të parë të vitit, agjencia e fëmijëve, Unicef ​​dhe Gallup zhvilluan intervista në 21 vende.

E përditshmja “The Guardian” nxjerr se, thuajse të gjithë fëmijët në të gjithë globin, janë prekur nga bllokimet, mbyllja e shkollave dhe ndërprerja e rutinave.

Raporti ravijëzon se, së bashku me shqetësimin për të ardhurat dhe shëndetin e familjes, shumë të rinj ndihen të frikësuar, të zemëruar dhe të pasigurt për të ardhmen.

Rreth një e treta e fëmijëve në Kamerun kanë thënë se shpesh ndiheshin në depresion, ose kishin pak interes për të bërë gjëra.

Ngjashëm ka përjetuar edhe një në pesë fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar dhe një në 10 fëmijë në Etiopi dhe Japoni.

Lidhur me gjetjet e bëra, ato nuk pasqyrojnë nivelet e depresionit të diagnostikuar, por tregojnë se si janë ndjerë fëmijët dhe të rinjtë gjatë pandemisë COVID-19.

Referuar raportit, mungesa e grumbullimit të të dhënave dhe monitorimi rutinë nënkuptonte që pamja e gjendjes dhe nevojave të shëndetit mendor të të rinjve në shumicën e vendeve ishte jashtëzakonisht e kufizuar.

Ai ka ravijëzuar sesi më shumë se një në shtatë 10-19-vjeçarë vlerësohet se jetojnë me një çrregullim të diagnostikuar të shëndetit mendor

“The Guardian” shkruan se nga këta, 89 milionë janë djem dhe 77 milionë vajza.

“Kanë qenë 18 muaj të gjatë për të gjithë ne, veçanërisht për fëmijët. Me bllokimet mbarëkombëtare dhe kufizimet e lëvizjeve të lidhura me pandeminë, fëmijët kanë kaluar vite të pashlyeshme të jetës së tyre larg familjes, miqve, klasave, lojës, çka janë elementët kryesorë të fëmijërisë”, ka thënë Henrietta Fore, drejtoreshë ekzekutive e Unicef.

“Ndikimi është i rëndësishëm dhe është vetëm maja e ajsbergut. Edhe para pandemisë, shumë fëmijë ishin të ngarkuar nën peshën e çështjeve të patrajtuara të shëndetit mendor”, ka shtuar ajo.

Teksa pandemia shkon në vitin e saj të tretë dhe, mes shqetësimit për ndikimin e saj në shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve, raporti ka zbuluar se një fëmijë vdes çdo 11 minuta nga vetëvrasja.

Afro 45 mijë e 800 adoleshentë vdesin çdo vit nga vetëvrasja, e cila është shkaku i pestë më i përhapur i vdekjes për fëmijët e moshës 10 deri në 19 vjeç.

Për moshat 15 deri në 19 vjeç, është shkaku i katërt më i zakonshëm i vdekjes, pas lëndimit në rrugë, tuberkulozit dhe dhunës.

Sipas raportit, për vajzat në këtë grupmoshë, është shkaku i tretë më i zakonshëm i vdekjes dhe i katërti për djemtë.

“Është vërtet keq”, ka thënë Ann Willhoite, specialiste e shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale në Unicef.

Ajo ka vijuar se “nëse shikoni statistikat në krahasim me çështjet e tjera, është tronditëse dhe për këtë nuk po bërtet më shumë”.

Bazuar në raport, problemet e diagnostikuara të shëndetit mendor, përfshirë ankthin, autizmin, çrregullimin bipolar, depresionin, çrregullimet e të ngrënit dhe skizofreninë, mund të dëmtojnë ndjeshëm shëndetin, arsimin dhe të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve.

Problemet e patrajtuara të shëndetit mendor kanë gjithashtu ndikim në ekonomitë botërore.

Një analizë e re nga Shkolla e Ekonomisë në Londër, e përfshirë në raport, ka nxjerrë se çmimi ekonomik i një neglizhimi të tillë është 387.2 miliardë paund në vit.

Pavarësisht kërkesës për mbështetje, shpenzimet e qeverisë për shëndetin mendor në nivel global përbëjnë 2.1 për qind të shumës totale të shpenzuar për shëndetin në përgjithësi.

“The Guardian” zbulon se në disa nga vendet më të varfra të botës, qeveritë shpenzojnë më pak se një dollarë për person për trajtimin e gjendjeve të shëndetit mendor.

Ndërkohë, numri i psikiatërve të specializuar në trajtimin e fëmijëve dhe adoleshentëve është më pak se 0.1 për 100 mijë në të gjitha vendet.

Raporti thekson se investimi në promovimin dhe mbrojtjen e shëndetit mendor është jashtëzakonisht i ulët.

Mungesa e investimeve do të thotë që njerëzit që punojnë në një sërë fushash, përfshirë kujdesin shëndetësor parësor, arsimin dhe shërbimet sociale, nuk janë në gjendje të adresojnë çështjet e shëndetit mendor.

“Shëndeti mendor është pjesë e shëndetit fizik… nuk mund ta konsiderojmë atë ndryshe”, ka thënë Fore.

Për të, “për shumë kohë, në vendet e pasura dhe të varfra, ne kemi parë shumë pak njohje dhe shumë pak investime në një element kritik të maksimizimit të potencialit të çdo fëmije. Kjo duhet të ndryshojë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore