Shqipëria

Raporti i KE-së për sigurinë ushqimore: Në Shqipëri mungon regjistri i fermave – në Kosovë masat e AUV-së


Komisioni Evropian ka publikuar raportin e katër vendeve të Ballkanit Perëndimor për progresin e bërë në lidhje me sigurinë ushqimore ku vërehet mungesa e regjistrit të fermave në Shqipëri dhe masat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë.

Raportet mbuluan shumë fusha dhe zhvillime gjatë vitit 2020 në Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Vlerësimi i rrezikut në Shqipëri

Raporti për Shqipërinë gjeti një nivel përgatitjeje në bujqësi dhe zhvillimin rural, sigurinë ushqimore, politikën veterinare dhe fitosanitare apo peshkim.

“U bë përparim në këto fusha, por duhej të krijohej regjistri i fermave”, vëren KE-ja.

Sipas raportit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) kryente kontrolle të rregullta zyrtare në përputhje me planin vjetor të bazuar në rrezik.

Megjithatë, vijon dokumenti i autoritetit evropian, nuk ka pasur përparim në miratimin e një metodologjie të përmirësuar të vlerësimit të rrezikut.

Kjo, për shkak të mungesës së sistemeve të teknologjisë së informacionit. Raporti i cilëson si të nevojshme për të analizuar të dhënat.

“Autoriteti duhet të përmirësojë ende cilësinë e statistikave të inspektimit ku është i kufizuar në numrin e kontrolleve apo masave të marra për shkeljet”, nënvizon më tej KE-ja.

Trajnimet dhe produktet OMGJ

Duke iu kthyer agjencisë shqiptare, ravijëzohet mungesa e trajnimeve te stafet.

Në fokus të trajnimeve duhet të jetë kryerja e vlerësimeve të shpejta të rrezikut – për të siguruar që vendimet e menaxhimit të rrezikut të kenë një bazë ligjore dhe shkencore.

“Shqipëria ka vijuar me ndryshimin e rregullores kombëtare për kërkesat e higjienës për mishin dhe produktet e mishit, qumështin dhe produktet me bazë qumështi, molusqet e gjalla dhe bivalve, peshkun dhe produktet e peshkimit për të siguruar një përputhje të pjesshme me rregulloren e BE-së”, thekson në vijim raporti.

Në përmbyllje, sillen në vëmendje edhe rregullat fillestare të OMGJ-ve nga maji i vitit 2020.

Sipas raportit të KE-së, nuk janë pasuar nga akte të tjera mbi procedurën e autorizimit, përgjegjësitë apo kompetencat e autoriteteve.

Raporti për Kosovën

Raporti për Kosovën gjeti përparim të kufizuar në bujqësi, siguri ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare, por një nivel përgatitjeje në këto fusha.

Autoriteti i lartë evropian vë theksin te zhvillimi i sistemit të kontrollit të ushqimit dhe gjurmueshmërisë.

Një nga pikat e tjera pozitive ishte dhe menaxhimi i sigurisë ushqimore dhe informacionit laboratorik veterinar.

Procesi “i vonuar” i transferimit të 76 inspektorëve nga komunat në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë filloi në gusht të vitit 2021.

Kjo do të mundësonte zbatimin e duhur të legjislacionit. Buxheti i agjencisë për vitin 2021, vëren raporti, është ulur me 18 për qind.

“Laboratori ushqimor dhe veterinar vijoi punën dhe mori pjesë në testimin e aftësive me laboratorët referencë të BE-së”, shkruhet në vërejtjet e Komisionit.

Megjithatë, raporti nënvizon se nuk është bërë “përparim në marrjen e akreditimit ndërkombëtar”.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ende nuk ka miratuar masa për të zbatuar rregulloren në tregjet dhe thertoret e kafshëve”, vijon autoriteti evropian.

Gjithashtu në përmbyllje përmendet se nuk pati përparim në identifikimin e masave bazë të ndër-përputhshmërisë.

Kjo, sa i takon sigurisë ushqimore, shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore