Lajme

Raporti gjashtëmujor i OKB-së për Kosovën, Guterres: Marrëveshja e Brukselit/Ohrit ka potencial të ofrojë zgjidhje afatgjate


Antonio Guterres

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në raportin e tij i cili përfshinë aktivitetet dhe zhvillimet e misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK-ut nga shtatori i vitit 2022 deri më 18 mars 2023, ka përshëndetur Marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë fillimisht më 27 shkurt në Bruksel e më pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Në raportin e fundit gjashtëmujor për Kosovës, Guterres, ka vlerësuar se Ujdia në fjalë ka potencial për të përmirësuar procesin e dialogut drejt arritjes së zgjidhjeve afatgjate.

Angazhimi i vazhdueshëm konstruktiv në zbatimin gjithëpërfshirës të Marrëveshjes, sipas tij, do të jetë i nevojshëm për të ndërtuar themele të përbashkëta, për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar çdo rishfaqje të tensioneve dhe konflikteve.

“Konkretisht, palët janë angazhuar plotësisht të respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre në mënyrë të shpejtë dhe në mirëbesim. Kjo është edhe më kritike pasi zhvillimet gjatë periudhës raportuese sollën tensionet në nivel krizash, duke rezultuar në pengesa më shqetësuese që nga procesi i dialogut në 2011”, ka thënë Guterres.

Sipas tij, retorika e intensifikuar dhe nxitëse nga të dyja palët, vendosja e barrikadave në rrugë, incidentet e shumta të sigurisë dhe protestat në Veri të Kosovës, kanë rritur rrezikun e dhunës.

“Incidentet e natyrës ndëretnike, të shtënat dhe plagosjet, shënjestrimi i dukshëm i gazetarëve dhe aktorëve ndërkombëtarë të sigurisë, ishin veçanërisht alarmante. Të gjitha palët duhet të ushtrojnë përmbajtje dhe të punojnë për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore përmes dialogut, jo përshkallëzimit”, ka thënë Guterres.

Raporti përshkruan në detaje ngjarjet e nëntorit të vitit të kaluar, kur serbët në mënyrë të organizuar u larguan nga institucionet komunale dhe qendrore përfshirë Policinë, Gjyqësorin, Prokurorinë.

Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës krijoi një vakum sigurie në veri të Kosovë, duke e lënë policinë të vepronte me më pak se shtatë për qind të fuqisë së saj para tërheqjes në atë zonë.

“43 policët e mbetur, shqiptarë të Kosovës, vazhduan të kryejnë detyra të kufizuara në stacione policore. Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) kanë shtuar praninë e tyre në Veri për të kontribuar në një mjedis të sigurt”, ka shtuar ai.

Progresi i mëtutjeshëm në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas Guterres, është i një rëndësie kyçe për krijimin e kushteve për kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet.

Raporti në fjalë përmend edhe Marrëveshjen e energjisë i dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë, ku thuhet se nuk ka pasur përparim thelbësor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore