Lajme

Ramzan Kadyrov në kërkim të ndikimit në Ballkan


Ramzan Kadyrov

Vizita e fundit e Turk Daudov në Beograd tërhoqi sërish vëmendjen ndaj përpjekjeve të liderit çeçen, Ramzan Kadyrov, për të forcuar pozicionin e tij në rajonin e Ballkanit, shkruan Deutsche Welle.

Ekspertët e intervistuar nga DW në Beograd, besojnë se kontaktet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, me këshillarin e Kadyrov’it, kanë të bëjnë më shumë me propagandë se sa me situatën në Kosovë.

Ata për DW theksojnë se Serbia dhe Çeçenia nuk kanë lidhje të rëndësishme ekonomike dhe politike dhe se Vuçiç zakonisht e fton ambasadorin rus për të diskutuar tema serioze apo delikate.

Në fakt, presidenti serb kishte pretenduar se në fillim të gushtit, “një grup separatistësh kaukazianë, kundërshtarë të presidentit të Republikës Ruse të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, po qëndronin në veri të Kosovës”.

Megjithatë, Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentës së Kosovës, Vjosa Osmani, kishte hedhur poshtë  propagandën e presidentit serb.

“Asnjë shqiptar i vetëm nga Kosova nuk iu bashkua luftës në Ukrainë. As çeçenë dhe as çerkezët nuk kishin planifikuar të vrisnin serbët e Kosovës. Ky dezinformim i shërben narrativës ruse”, pati shkruar ai në Twitter.

Mediumi gjerman nënvizon se publiku në Serbi me shumë gjasë nuk do të zbulonte takimin e mbyllur mes Daudov me Vuçiç’it, po që se Daudov nuk do të kishte publikuar një fotografi në profilin e tij në Instagram.

Aleksandër Vuçiç dhe Turk Daudov

“Një ngjarje e dukshme në marrëdhëniet serbo-çeçene ishte vizita e një delegacioni sportiv serb në Çeçeni në janar. Në atë kohë u paralajmërua synimi për zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e boksit dhe Ramzan Kadyrov me këtë rast i telefonoi Aleksandër Vuçiç’it dhe e falënderoi për ngjarjet e mbajtura në Serbi vitin e kaluar në kujtim të babait të tij, presidentit të parë të Çeçenisë”, shkruan DW.

Sipas Kadyrov’it, myslimanët e Serbisë i kërkuan atij të ndërtojë një shkollë për hafizët në Novi Pazar, e cila konsiderohet si një nga qendrat kryesore shpirtërore myslimane në Ballkan.

“Është bërë e ditur se shkolla dhe rruga ku do të vendoset do të marrin emrin e Kadyrov. Mirëpo, Bashkësia Islame e Serbisë pretendon se iniciativa për ndërtimin e shkollës nuk ka ardhur nga ata, por nga një delegacion i Forumit Musliman Evropian, një organizatë pak e njohur e krijuar para disa vitesh”.

Përfaqësuesit e këtij forumi patën vizituar Ballkanin verën e kaluar, duke ndarë edhe një shumë të konsiderueshme të hollash.

“Ata udhëtuan në Greqi, Rumani, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci. Në mesin e bashkëbiseduesve ishin edhe shumë politikanë të njohur myslimanë në rajon. Rezultatet e takimeve lidheshin ekskluzivisht me përjetësimin e emrave të dy liderëve çeçenë – Akhmat dhe Ramzan Kadyrov”.

“Kadyrov dikur krijoi një grup gazetarësh ballkanikë që i qëndrojnë besnikë, por duket se është gjithnjë e më e vështirë të promovohet një imazh pozitiv në sfondin e deklaratave të tij radikale dhe sanksioneve ndërkombëtare”, shkruan DW.

Disa ekspertë besojnë se përdorimi i aftësive të presidentit të Çeçenisë është një pjesë integrale e propagandës së Kremlinit që synon rritjen e ndikimit të Rusisë në rajon.

Megjithatë, në Ballkan duket se nga Kadyrov nuk pritet shumë. Siç shpjegoi historiani Husnija Kamberoviç në një intervistë për DW, lideri çeçen nuk ka ndikim të rëndësishëm tek myslimanët në rajon.

“Kadyrov nuk ka asgjë për të llogaritur as politikisht as fetarisht. Nëse Moska me të vërtetë po planifikon të fitojë mbështetjen e myslimanëve nëpërmjet liderit çeçen, atëherë ky është një vlerësim i gabuar. Simpatia për Rusinë mund të ndikohet vetëm nga një ndryshim në kursin e Kremlinit në rajon”, vlerëson Kamberoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore