Lajme

Ramzan Kadyrov do të dërgojë tre djemtë e tij adoleshentë në vijën e parë të frontit të luftës


Tre djemtë e udhëheqësit çeçen, Ramzan Kadyrov, do të shkojnë së shpejti në vijën e frontit të Ukrainës për të luftuar me forcat ruse.

Ata janë 14, 15 dhe 16 vjeç.

Kadyrov është një aleat i fortë i Vladimir Putin, megjithëse kohët e fundit ka kritikuar udhëheqjen ushtarake ruse.

Sipas tij, një baba duhet t’i mësojë djemtë e vet se si të mbrojnë familjen, njerëzit dhe atdheun e tyre.

Rusia ka nënshkruar një traktat të OKB-së që synon të parandalojë fëmijët nën moshën 18 vjeç që të marrin pjesë drejtpërdrejt në armiqësi.

Dërgimi i fëmijëve nën moshën 15 vjeç për të marrë pjesë në armiqësi konsiderohet një krim lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

Por Rusia nuk e njeh juridiksionin e saj.

Kadyrov, në një postim në Telegram, ka shkruar se trajnimi ushtarak i djemve të tij filloi kur ata ishin shumë më të vegjël dhe se kishte ardhur koha që ata të përjetonin një betejë të vërtetë.

Po ashtu ai ka vënë në shënjestër ata njerëz “me fjalë boshe” që pretendonin se të dashurit e liderit çeçen nuk po merrnin pjesë në operacionin ushtarak në Ukrainë.

Postimi ka të bashkëngjitur edhe një video nga djemtë e tij teksa qëllojnë me armë të ndryshme në një terren stërvitor.

Kadyrov ka qeverisur republikën jugore ruse që nga viti 2007, kur ai u emërua president i rajonit nga Vladimir Putin-i.

Ka qenë një periudhë e stabilitetit relativ në Çeçeni, e cila luftoi pa sukses për pavarësi për një dekadë.

Por Kadyrov është kritikuar se ka qeverisur me grusht të hekurt dhe ka lejuar që shkeljet e të drejtave të njeriut të lulëzojnë.

Ai është mbështetës i ashpër i Vladimir Putin-it dhe forcat çeçene kanë luftuar në Ukrainë që nga fillimi i luftës.

Megjithatë, pas pengesave të fundit ushtarake në rajonet e Kharkiv-it dhe Donetsk-ut, ai ka kritikuar udhëheqjen ushtarake të Rusisë.

Gjithashtu ka drejtuar thirrje që Rusia të marrë masa më drastike kundër Ukrainës, duke përfshirë përdorimin e një arme bërthamore taktike.

Sakaq, Kremlini u përgjigj se vendime të tilla nuk duhet të merren emocionalisht.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore