Lajme

Ramosaj: Jemi penalizuar nga Qeveria, s’ka mjete për projekte të reja


Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se janë penalizuar me ndarjen e buxhetit nga Qeveria.

Sipas tij, nuk komunat nuk kanë buxhet për projektet e reja që janë të nevojshme për komunat, duke e quajtur një veprim të tillë “diskriminues”.

“Projektligjin për buxhetin të cilin ende se ka marrë formën përfundimtare. Unë besoj që njëjtë si komuna e Deçanit edhe komuna tjera janë penalizuar me këtë ndarje buxhetore sepse sipas projektit të parë ne si komunë e Deçanit nuk e kemi ndonjë buxhet të ri shtesë pos buxhetit prej vitit 2019 e tutje”, ka thënë Ramosaj për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

“Kurse nuk kemi buxhet për projekt të ri e që janë të nevojshme për komunën e Deçanit. Është pak diskriminuese në këtë raport”.

Sa i përket manastirit të Deçanit, ai sërish ka theksuar se shteti duhet ta dërgojë këtë proces deri në fund.

“Shpresoj që obligimet që i ka Kosova si shtet duhet mi pas obligime shtetërore. Ajo çka është e mira për shtetin e Deçanit është me dërguar këtë proces deri në fund”.

Ndryshe, më 3 dhjetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi prezantuan para qytetarëve të Pejës buxhetin për vitin e ardhshëm.

Ashtu siç njoftohet nga një komunikatë për media, buxheti që u dedikohet komunave për vitin 2023 parashihet të jetë rreth 100 milionë euro më shumë se sa ka qenë këtë vit, ndërsa buxheti për Komunën e Pejës do të jetë mbi 33 milionë euro.

Mirëpo, Komunat e Kosovës janë shprehur të pakënaqura për buxhetin e ndarë nga Qeveria.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, kishte deklaruar se në bazë të analizës së tyre mjetet e ndara kanë shënuar rënie ndër vite.

“Në bazë të analizave të Asociacionit të Komunave të Kosovës rezulton që në vitin 2020 komunat kanë pranuar 21.7% të mjeteve buxhetore nga buxheti i Kosovës. Në vitin 2021, 22.1%, kurse në vitin 2022 kjo përqindje bie në 19.6. Ndërsa në vitin 2023 do të jetë 20.5%”.

Sipas Ibrahimit, niveli qendror akoma tenton t’i centralizojë kompetencat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore