Kosova

Komunat e Kosovës të pakënaqura me buxhetin për vitin 2023


Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Komunat e Kosovës janë shprehur të pakënaqura për buxhetin e ndarë nga Qeveria.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se në bazë të analizës së tyre mjetet e ndara kanë shënuar rënie ndër vite.

“Në bazë të analizave të Asociacionit të Komunave të Kosovës rezulton që në vitin 2020 komunat kanë pranuar 21.7% të mjeteve buxhetore nga buxheti i Kosovës. Në vitin 2021, 22.1%, kurse në vitin 2022 kjo përqindje bie në 19.6. Ndërsa në vitin 2023 do të jetë 20.5%”.

“Në raport me vitin 2021 dhe 2020 përqindja e mjeteve që do t’i bartet komunave është më e vogël se 2021. Kjo ndikon në përmasimin e jetës së qytetarit. Sa më shumë mjete që i dedikohen komunave atëherë edhe rezultatet shihen në praktikë dhe shkojnë në investime kapitale dhe përmirësohet jeta e qytetarit”, ka thënë Ibrahimi për Ekonomia Online.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit, niveli qendror akoma tenton t’i centralizojë kompetencat.

“Ndërtimin e shkollave në një kohë paraprake ministria e arsimit pati hequr dorë nga ndërtimi i çerdheve ndërsa tash po e shohim që trendi është rikthyer. Po besojmë që niveli qendror duhet të merret me hartimin e politikave të cilat e ndryshojnë situatën e jo me ndërtimin e godinave”.

Ai sërish ka përsëritur thirrjen e tij që të miratohet Ligji për financa lokale.

“Ne kemi kërkuar që të miratohet Ligji për financa lokale. Nëse miratohet granti i katërt këto mjete financiare të cilat shkojnë përmes ministrive te komunat do të shkojnë te komunat. Si pasojë e mos funksionalizimit të bordit të OShP, ngritjes së çmimeve, rritjes së inflacionit shumë projekte që do të përmirësonin jetën e qytetarëve nuk kanë mundur të zhvillohen”.

Ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës për vitin 2023, është vendosur sektori i shëndetësisë ku janë ndarë 296 milionë euro për sektorin e shëndetësisë në nivel qendror e lokal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore