Lajme

Rama uron 28 nëntorin: Është testamenti i gjallë i qëndrueshmërisë sonë


Perparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka uruar shqiptarët për 28 nëntorin, ditën e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe për daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“28 Nëntori, dita kur shpirti na kumbon me jehona prej historisë – të asaj historie të madhëruar me trimërinë e Skënderbeut, me vetëmohimin e stërgjyshëve tanë në vitin 1912, e me shpirtin e paepshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që doli publikisht pikërisht në ditën e 28 nëntorit të vitit ‘97”, shkroi Rama në Facebook.

28 Nëntori, theksoi kreu i kryeqytetit, për shqiptarët është më shumë sesa një tjetër datë në kalendar, sepse, siç thotë ai, “është testamenti i gjallë i qëndrueshmërisë sonë, është kronika e betejave që i kemi zhvilluar, është shpallje e pavarësisë dhe është festë e lirisë, që e kemi aq të shtrenjtë”.

“Në këtë kuqezinë që na e mbështjell sot gjithë tokën tonë, e më tej, që sot valëvitet kudo që tubohen shqiptarët, ne kthehemi në protagonistë që transmetojnë një simbol të fuqishëm – e ky është manifestimi kolektiv i identitetit tonë, i cili na e mishëron unitetin dhe forcën që ka ky popull i joni”, shtoi.

“Gëzuar 28 Nëntorin! E festofshim përherë të lirë e gjithmonë më të bashkuar!”, përfundoi Rama.

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar shqiptarët për shënimin e 111-vjetorit të mëvetësisë, duke thënë se Kosova do të jetë gjithnjë në krah të Shqipërisë, derisa ka shtuar se Dita e Pavarësisë, ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës (UÇK), kanë një emërues të përbashkët: flamuri kuq e zi dhe 28 nëntori.

“Republikës së Shqipërisë ia përcjell urimet më të ngrohta të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës në këtë 111 vjetor. Kosova do të jetë gjithnjë në krah të Shqipërisë, duke thelluar më tej lidhjet ndërshtetërore, sikurse edhe ato ndërmjet motrave e vëllezërve!”, ka shkruar presidentja Osmani në llogarinë e saj në “Facebook” të martën për nder të Festave të Nëntorit.

“Flamuri ynë kombëtar është trashëgimi e përjetësuar në simbol që nga viti 1443 në Krujë, 1912 në Vlorë dhe 1999 në Prishtinë. Kjo ditë është dedikim për heronjtë tanë që prej Gjergj Kastriotit, Ismajl Qemajlit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit e deri te Adem Jashari, vepra e të cilëve është vula e shtetit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës”, ka shtuar ndër të tjera ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore