Shqipëria

Rama takohet me Scholz të martën në Gjermani


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të vizitojë Berlin-in të martën e 7 marsit për t’u takuar me homologun e tij gjerman Olaf Scholz.

Lajmi u bë i ditur nga Kancelaria gjermane, duke cituar fashikullin e agjendës “Bisedime me Kryeministrin e Shqipërisë”

“Në orët e vona të mëngjesit, Kancelari Federal pret në Kancelarinë Federale Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama”, shkruajnë autoritetet gjermane.

Sipas deklaratës zyrtare, në fokus të takimit do të jetë koordinimi me synimin për rolin pritës të Shqipërisë në Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor.

Në Samitin e Procesit të Berlinit më 3 nëntor 2022 në Kancelarinë Federale, këtë rol e mori kryeministri shqiptar.

Gjithashtu, bisedimet dypalëshe mes Kancelares Federale dhe kryeministrit të martën do të trajtojnë çështje dypalëshe, ekonomike dhe të politikës së jashtme dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Pas bisedimeve është planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp.

Më 3 nëntor të vitit të kaluar, Scholz deklaroi se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor po bëjnë përpjekje serioze për të ecur në rrugëtimin evropian dhe kjo mbetet një prioritet për ne.

Ai u shpreh se tri marrëveshjet e nënshkruara asokohe do të ndihmonin në ecjen përpara të qëllimeve të rajonit Ballkanit.

“Tregohet serioziteti i vendeve të Ballkanit Perëndimor për vlerat e Ballkanit Perëndimor”.

Scholz theksoi se gjashtë vendet kanë rënë dakord që të punojnë më ngushtë në fushën e energjetikës.

“Ne dhe anëtarët e tjerë do të mbështetim me çdo kusht përballimin me krizën e energjetike. Gjermania do të mbështesë përmes bankës së saj me hua deri në 200 milionë në periudhën afatmesme”.

Kancelari tha se Gjermania do ta mbështesë Procesin e Berlinit. Ai premtoi gjithashtu se do të ketë organizime të tjera të këtij lloji.

Procesi i Berlinit u nis nga Gjermania në vitin 2014 nën kancelaren e atëhershme Angela Merkel.

Ai synon të afrojë gjashtë vendet e Ballkanit dhe t’i përgatisë së bashku për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore