Shqipëria

Rama premton se do të sjellë ‘Formula 1’ në Elbasan brenda 2030


“Do të sjellim çmimin e madh të Formula 1 në Elbasan brenda vitit 2030”.

Ka qenë ky premtimi që kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka bërë gjatë një takimi elektoral në Elbasan, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023.

Sipas kreut të Qeverisë, kjo do të sjellë një kulturë të re të sportit në Shqipëri, por mbi të gjitha, do t’i japë jetë të re ekonomisë.

“Nuk bëhet fjalë për sport, por për mijëra njerëz që do të vijnë në Elbasan”, theksoi Rama përballë banorëve të Elbasanit, teksa kritikat nuk i kurseu as për kandidatin e opozitës, Luçiano Boçi.

Sipas kryeministrit, ai ngjason me ish-kreun e Bashkisë Tiranë dhe të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke nënkuptuar se “ai nuk do të bëjë asnjë punë për Elbasanin”.

Autoparku i Elbasanit, i njohur në projekt edhe si “Auto Moto Park Albania”, do të zhvillohet nga kompania prestigjioze “Test And Training International Design”, e cila ka fituar konkursin ndërkombëtar lidhur me këtë projekt.

Kompanitë e tjera të cilat garuan por nuk arritën të shpalleshin fituese për jetësimin e këtij projekti të shumëpritur në Krastë të Elbasanit ishin: TILKE GmbH & Co. KG, APEX Circuit Design Ltd., Studio DROMO Srl. Dhe DRIVEN International Ltd.

Projekti do të financohet nga fondet e DPSHTRR-MIE në bashkëpunim me bashkinë e Elbasanit.

Autoparku i Elbasanit

Së shpejti, Shqipëria do të ketë një Autopark.

Lajmin e pati bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në Facebook.

Ai e ka cilësuar këtë si “një ëndërr, nga ato që kanë hyrë në rrugën e realizimit”.

Projekti është zhvilluar në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA) dhe po zbatohet nën udhëheqjen e drejtorit të Transportit Rrugor Shqiptar, Blendi Gonxhe.

Përtej kësaj, Rama theksoi asokohe edhe faktin se presidenti i FIA-s, ish-drejtues teknik i Ferrarit, Jean Todt, po kujdeset po ashtu për projektin.

Pista do të jetë 5.3 kilometra e gjatë dhe do të përmbushë çdo standard të vendosur.

Në ndërtesat rreth saj, do të përfshihet edhe një muze “Retro”, si dhe një akademi për restaurimin e mjeteve historike.

Pista do të jetë edhe offroad, duke ofruar një terren të përshtatshëm për dashamirësit e Motocross-it, Trial, Autocross dhe Rallycross.

Një poligon profesional manovrash drejtimi dhe qendra e test-homologimit do të jetë pjesë e kompleksit.

Kartodromi do të ketë mundësi të presë gara si kombëtare, ashtu edhe ndërkombëtare.

Një akademi për formimin e pilotëve do të marrë jetë. Pista do të jetë e përdorshme edhe si heliport. Ndërsa, observatori panoramik do të japë mundësi soditjeje edhe për njerëzit që nuk e preferojnë shpejtësinë.

Qendra e eventeve do të mundësojë zhvillimin e panaireve, konferencave dhe trajnimeve.

Ndërsa për banorët e rajonit, aty do të vendoset edhe qendra e re e kontrollit teknik të automjeteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore