Shqipëria

Rama me tre prioritete për një Polici më të mirë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2022 për rendin publik, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka preferuar të flasë për shifrat konkrete, sa për prioritetet e mandatit të ri për rendin publik.

Janë tre pikat që ka prezantuar kryeministri: Lufta kundër krimit, siguria rrugore dhe rritja e standardeve.

Sipas Ramës, është bërë progres i dukshëm në luftën kundër krimit.

Megjithatë, ka ende shumë të për bërë.

“Ndihet ende mungesa e të njëjtit efikasitet, siç ka pasur operacioni forca e ligjit apo në tërësi kjo pjesë e organizimit policor, te lufta kundër krimit ekonomik”, tha kreu i Qeverisë.

Për Ramën, në këtë sektor, është e domosdoshme të vendosen më shumë forca. Gjithashtu, të përqendrohet më shumë vëmendja e Policisë.

Mbi sigurinë rrugore, Rama tha se ajo duhet ngritur në një nivel tjetër. Paralelisht me këtë, duhet vendosur kontroll absolut mbi territorin.

Kjo gjë duhet parë jo thjesht në aspektin e veprimtarisë kriminale kundër individëve, por edhe ato kundër vetë Shqipërisë.

“Është e pafalshme që vendosen gjoba për njerëzit në fshatra e periferi dhe jo për ato që hedhin beton në plazh”, theksoi kryeministri.

Standardi ndaj shërbimit që u ofrohet qytetarëve është po ashtu një pikë me prioritet.

Kryeministri cilësoi se buxheti i ndërtuar shërben pikërisht edhe për të investuar te punonjësit dhe për t’i motivuar ata vetë.

Përtej një krize të pritshme energjetike me rritje çmimesh, ai e theksoi se është ndërtuar buxheti, pikërisht për këtë fakt.

Gjithashtu, Rama nuk la pas as diferencimin midis trajtimit të trupave policore.

“Duhet diferencuar trajtimi mes atyre që punojnë, ku banojnë, dhe atyre që punojnë larg familjes”, tha ai.

“Nuk është e njëjta gjë për ata që bien të flenë me familjet e tyre dhe për ata që flasin vetëm në telefon. Ndaj paga e këtyre të fundit do të shkojë në 150%”.

Imazhi policor

Kryeministri Rama është ndalur po ashtu edhe në rastin e keqtrajtimit e gazetares Anila Hoxha, nga ana e një efektivi të policisë.

“Polici që keqtrajtoi gazetaren hedh hije mbi gjithë punën e bërë deri tani. Rast fatkeq. Çdo punonjës i policisë, nuk e meriton që në imazhin e uniformës që ai apo ajo veshin, të ketë të tilla stërkala balte që vijnë nga shkelja e patolerueshme e sjelljes së një punonjësi”, theksoi ai.

Gjithashtu, Rama ka mbështetur veprimin e shpejtë të ndërmarrë nga strukturat policore.

“Është me rëndësi jo vetëm që të veprohet si rregull me shpejtësi dhe pa tolerancë, por edhe të ketë vijimësi të theksohet nga drejtuesit”.

Të njëjtin verim e ka dënuar edhe ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi, pas ngjarjes.

Buxheti i ri

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka theksuar mirënjohjen për parashikimet e buxhetit të ri 2022 nga Këshilli i Ministrave, i cili sipas tij garanton të gjithë shtesat e pagave, të cilat shkojnë për policët.

Në bazë të projektbuxhetit, do të jenë rreth 200 milionë lekë më shumë, të cilat shkojnë për shpenzimet e personelit.

Prej tyre, punonjësit e Policisë larg vendbanimeve, përfitojnë rritje page në masën 150%.

Një pjesë e madhe e shpenzimeve, si ato për uniformat, karburant apo mirëmbajtja e pajisjeve është cilësuar si kyçe nga Nano.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano

Këtu, duke shtuar faktin e avancimit teknologjik për Policinë.

Si investim i fundit i përmendur, është edhe ai i “makinave inteligjente”, të cilat monitorojnë rrugët e Shqipërisë, duke i mbajtur më të sigurta nga drejtuesit e mjeteve që përbëjnë rrezikshmëri.

Flota e makinave ndërkaq do të vijojë të jetë në konceptin e marrjes me qera, apo siç njihet “leasing”.

Ky model për Nanon, është shumë i suksesshëm.

Nga ana e të huajve, do të ketë 81% më shumë investime. Kjo shumë shkon në masën e 335 milionëve. Pjesa më e mirë e tyre alokohen për trajnimin e duhur të efektivëve, apo edhe për modernizimin e flotës së Policisë.

Të njëjtën gjë e ka ravijëzuar edhe ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi. Të gjithë vëmendjen gjatë fjalës së tij, ai e përqendroi tek aspekti teknologjik.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledar Çuçi

Një rrjet komunikimi të dhënash brenda Policisë, pritet të rrisë cilësinë e transmetimeve brenda strukturës.

Po ashtu, edhe blerja e pajisjeve të të dhënave do të shohë blerje të reja. Kjo, për të rritur efikasitetin e trupave.

Sipas ministrit, me vetëm një makinë inteligjente deri tani, ka bërë që 10 mijë gjoba, të shmangin kontaktin e policëve me drejtuesit e mjeteve. Falë teknologjisë, gjithçka është automatike. Masat administrative shkojnë drejtpërdrejt në adresën e shkelësve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore