Shqipëria

Rama mbledh Asamblenë e PS-së në Vlorë, në fokus zgjedhjet vendore


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vizituar mëngjesin e të shtunës qytetin bregdetar të Vlorës për të zhvilluar një takim me Asamblenë e Partisë Socialiste.

Takimi është mbajtur në teatrin “Petro Marko”, ku kryesocialisti është shoqëruar nga drejtuesi i kësaj force politike në Vlorë, Blendi Klosi dhe deputeti socialist Vullnet Sinaj.

Gjatë ballafaqimit me anëtarët e asamblesë, Rama nuk ka kursyer kritikat për deputetët socialistë të cilët sipas tij kanë bërë fushatë për kandidatët për kryetar bashkie.

Brenda asamblesë do të votohet për emrin e kandidatit për Bashkinë e Vlorës, me votim të fshehtë midis dy emrave, Fate Velaj dhe Ermal Dredha.

Kryesia e Partisë Socialiste pasditen e 25 marsit do të vendosë në mënyrë përfundimtare se kush do të jetë skuadra garuese për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Kanë mbetur vetëm 2 ditë nga përfundimi i afatit zyrtar të depozitimit të listave të kandidatëve, për kryebashkiakë apo anëtarë këshillash, prandaj Socialistët të shtunën do të caktojnë listën përfundimtare.

Më 9 mars, Rama deklaroi se skuadra socialiste për zgjedhjet lokale të 14 majit është gati.

“Pak a shumë po, i kemi emrat gati për kandidatët e bashkive”, tha kryeministri i vendit, i cili u shpreh se ka pasur dakordësi dhe sinkronizim rreth emrave që janë aktualisht kryetar bashkie.

Kështu ai theksoi se emrat tashmë dihen, por do të bëhen publik gjatë ditëve në vijim, përpara zyrtarizmit në KQZ.

Rama do të shprehej sakaq i bindur se fitorja do të jetë shumë e madhe.

“Mendoj se do të fitojmë shumë bindshëm, por për hir të vërtetës fitorja me kundërshtarë të tillë është minimumi”.

Rama ravijëzoi se duhet shkuar përtej fitores aritmetike, duke pasur kundërshtarë të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore