Shqipëria

Rama krah Abazoviç: Me rëndësi që në samitin e NATO-s të kemi një qëndrim të përbashkët lidhur me rajonin


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se është me rëndësi që së bashku me autoritetet malazeze, palët të kenë një qëndrim të përbashkët lidhur me rajonin dhe me shqetësimet në rajon në samitin e ardhshëm të NATO-s.

Lajmi u bë i ditur gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

“Për në është shumë e rëndësishme që në samitin e ardhshëm e NATO-s të kemi një qëndrim të përbashkët lidhur me rajonin dhe me shqetësimet në rajon. Duke qenë të vetëdijshëm se falë Procesit të Berlinit dhe nismave të tjera jemi në një fazë tjetër të historisë sonë”, theksoi fillimisht kreu i Qeverisë.

Kryeministri Rama pohoi më herët se Shqipëria do të përgatisë një raport për anëtarët e NATO-s lidhur me zhvillimet e situatës në veri të Kosovës.

Kjo e fundit, duke qenë një qëndrim i përbashkët me dy vende të tjera të rajonit, anëtare të NATO-s si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Në samitin e NATO-s në Vilnius të Lituanisë pritet të diskutohet rëndësia e pranisë së KFOR-it në Kosovë.

Kujtojmë që Lituania do të presë një Samit të NATO-s në Vilnius më 11-12 korrik 2023.

Sakaq, ai shtoi se është një kënaqësi e përhershme takimi me homologun Abazoviç.

“Ishte si gjithmonë kënaqësi e veçantë, jo sepse kështu e kërkon diplomacia që të thuhet, por sepse sa herë takohem me kryeministrin Abazoviç, me mikun tim gjithmonë e më të afërt Dritan, është një kënaqësi shumë e veçantë sepse Dritani është ndër shumë të paktët që në këtë lagjen tonë në zemër të Evropës që quhet Ballkan, e shikon politikën si qytetar dhe jo si përfaqësues i një etnie dhe kjo është diçka sa e rrallë, aq e çmuar”, u shpreh ai.

Takimet në Bosnjë dhe Hercegovinë

Më herët, kreu i Qeverisë u takua me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës, Borjana Krišto gjatë të cilës u shpreh se Shqipëria po përgatitet për hapjen e ambasadës në Sarajevë.

“Jeton një komunitet shqiptar dhe më vjen mirë të them që ai boshnjak në Shqipëri i ka të garantuara të drejtat gjuhësore, fetare të garantuara në Kushtetutë të Shqipërisë në ligjin e minoriteteve”.

Ai shtoi se nuk është sekret që Republika e Shqipërisë mbron dhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe vendet e tjera.

“Jemi të interesuar që marrëveshjet e Procesit të Berlinit, veçanërisht ajo me kartë identiteti për qytetarët e Kosovës të mundësohen. Dëshiroj të besoj që ashtu sikundër vetë Serbia i ka firmosur ato marrëveshje edhe Bosnjë dhe Hercegovina do ta bëjë këtë gjë”, tha kryeministri shqiptar.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se “vullneti për ndërtimin e paqes shpërblehet dhe lënia pas e së shkuarës dhe përqafimi i të ardhmes shpërblehet”.

Sa i përket samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, Rama theksoi se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të kërkojnë që të marrin më shumë mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

Ai ravijëzoi se “erdha këtu për të informuar se çka ne duam të bëjmë në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë në muajin tetor dhe se si ne dëshirojmë që të ndërtojmë një qëndrim të përbashkët të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor”.

Kjo, “për ta shfrytëzuar samitin e Tiranës ku të marri jetë edhe plani i një financimi të ri dhe një mbështetje të re ekonomike nga ana e BE-së për këto 6 vende”.

Takimet në Kosovë

Një ditë më parë, kryeministri shqiptar u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryekuvendarin Glauk Konjufca.

Në llogarinë e saj zyrtare në “Facebook”, presidentja Osmani, shkroi vetëm se me Kryeministrin e Shqipërisë, diskutoi për samitin e NATO-s e për Procesin e Berlinit, por në njoftimin zyrtar të Presidencës së Kosovës, bëhet e ditur se ishte edhe “tema e nxehtë”, çështja e veriut të vendit.

“Me Kryeministrin Edi Rama diskutuam sot proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit. Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike”.

Në njoftimin zyrtar të Presidencës së Kosovës, megjithëse se në fund të fjalisë, bëhet me dije se dyshja kanë diskutuar edhe për tensionet në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe për planin tre-pikësh të Bashkimit Evropian për relaksimin e gjendjen së tendosur në terren.

“Në raport me situatën e sigurisë në veri, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar për media të enjten.

Takimi mes Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Rama – nuk ka pasur konferencë të përbashkët për media – është realizuar vetëm një ditë pasi kryeministri kosovar, Albin Kurti, përjashtoi kategorikisht mundësinë e një takimi me homologun e tij, me të cilin kurrsesi të gjejë pajtueshmëri si të lëvizet përpara.

Kryeministri Rama në po të njëjtën ditë u takua edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ku u shqyrtua mënyra se si të zgjidhet kriza gjithnjë e më e mprehtë në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe gjithashtu, rruga drejt implementimit të planit tre-pikësh të Bashkimit Evropian.

Takimet në Maqedoninë e Veriut

Me sytë nga Samiti i Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë më 16 tetor, Rama nisi turin e takimeve dy ditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor me liderët e shteteve.

Fillimisht u takua me homologun maqedonas Dimitar Kovačevski.

“Patëm një takim dhe një diskutim shumë të dobishëm në kushtet kur Shqipëria do të mikpresë Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë dhe ku qëllimi im është që ky Samit të shënojë disa përparime konkrete, të prekshme, domethënëse, për të cilat po punojmë me Kancelarinë në Berlin dhe paralelisht po diskutojmë me Komisionin Evropian në Bruksel”, theksoi fillimisht kreu i Qeverisë.

Sipas tij, lajmi i mirë është se Komisioni, siç e ka shprehur dhe presidentja Von der Leyen, po punon në këtë drejtim.

Rama zbuloi se së shpejti do kemi një tjetër takim informal në Tiranë ku “do t’i ftoj të gjithë së bashku dhe ku do jenë prezentë dhe miq nga Bashkimi Evropian për të diskutuar konkretisht mbi planin”.

“Na duhet ky plan, na duhet kjo mbështetje dhe e meritojmë si vende në mes të Evropës që të mos shihemi thjesht si ata që duhet të bëjnë detyrat sepse detyrat ne duhet dhe do t’i bëjmë për vete, por dhe si ata që kontribuojnë dhe sot më shumë se asnjëherë tjetër, në këndvështrimin tim, është e qartë që Bashkimi Evropian ka nevojë për ne sa ç’kemi nevojë ne për Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Sa i takon nismës ‘Open Balkan’, Rama u shpreh se “një mijë herë të rikthehesha mbrapa, një mijë herë do ta ribëja”.

“Ballkani i Hapur është një nga 72 iniciativat që kanë në këtë rajon, për të cilat ju edhe nuk keni dëgjuar fare, jam i sigurt, siç edhe unë vetë kur e kam lexuar shifrën 72, jam habitur. Dhe çfarë e keqe i ka ardhur nga Ballkani i Hapur, rajonit? Përveç të mirave? Cilat janë të mirat? Merrni shikoni shifrat e tregtisë midis vendeve dhe mos e harroni asnjëherë që çfarë është bërë, nuk zhbëhet, përkundrazi. Çfarë është bërë ka shërbyer që edhe procesi i Berlinit që është ‘ombrella’ dhe tek e cila unë duhet të fokusohem 100% pasi Shqipëria është mikpritëse e Procesit të Berlinit, ka përfituar nga Ballkani i Hapur pikërisht shtysën”, vërejti kryeministri shqiptar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore