Shqipëria

Rama konfirmon pezullimin e efektivëve që shoqëruan 32-vjeçarin


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama konfirmoi pezullimin e përkohshëm të tre efektivëve të cilët ishin në komisariat me 32-vjeçarin i cili ndërroi jetë gjatë shoqërimit.

Lajmi u bë i ditur gjatë takimit të kreut të qeverisë me fermerët në Elbasan.

“Në mënyrën më korrekte serioze dhe dinjitoze policia ka pezulluar tre persona në mënyrë që të mos përfshihen në proces”, deklaroi fillimisht Rama.

Duke përmendur përfshirjen e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në zbardhjen e ngjarjes, kryeministri kërkoi që të priten përgjigjet e hetimeve.

Prokuroria e Tiranës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore zbuluan më herët shkaqet e vdekjes së 32-vjeçarit.

Sipas njoftimit zyrtar, në trupin e viktimës u gjet një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e cila dyshohet si ambalazh i lëndës narkotike.

Autoritetet sqaruan se nga analizat e kryera dhe provat nuk kishte veprime të kundraligjshme të punonjësve të Policisë ndaj viktimës.

Ngjarja

Sipas Prokurorisë në orën 23:07 të mbrëmjes së kaluar punonjësit e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë patrullimit në zonën e Laprakës kanë konstatuar një person duke qëndruar përpara një biznesi privat, për të cilin kushtet dhe rrethanat diktonin nevojën e një verifikimi.

Në momentin kur punonjësit e Policisë, i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit, shtetasi është larguar me vrap, duke mos iu bindur thirrjeve të njëpasnjëshme të punonjësve të Policisë për të ndaluar.

Pasi ka vrapuar për rreth 200 metra, i ndjekur nga patrulla e Policisë, mes rrugicave midis rrugës “Riza Çuka” dhe “Don Bosko”, ai është kapur dhe ndaluar nga punonjësit e Policisë, vend në të cilin kanë qëndruar shtatë minuta.

Në vijim, pasi është qetësuar, shtetasi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 ku ka shfaqur probleme shëndetësore, gjë e cila ka diktuar dërgimin në Spitalin e Traumës, ku është konstatuar humbja e jetës.

Nga veprimet hetimore të kryera, është dokumentuar i gjithë itenerari dhe veprimet e punonjësve të Policisë nga momenti kur shtetasit i kërkohet të identifikohet deri në shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të policisë Nr 3.

Ky itenerar pasqyrohet në pamjet filmike të admnistruara nga pesë kamera të vendeve të ndryshme, deklarimet e personave të pranishëm, mes tyre dhe dy shtetas shokë të viktimës, si dhe nga deklarimet e punonjësve të Policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore