Shqipëria

Rama: Shqiptarët duan që punët e nisura të mbarojnë


Kryeministri, Edi Rama, mbrëmjen e ditës se enjte ka folur per televizionin lokal “One Tv Vlora”. Temat e tij kanë qenë investimet në Vlorë, projektet, rindërtimi, procesi i vaksinimit si dhe aktualiteti politik, zgjedhjet e 25 prillit.

Bilanci i mandatit të dytë

I pyetur bilancin e mandatit të dytë, Rama tha se ai është një mandat i goditur në mes nga tërmeti dhe pandemia dhe u shpreh i bindur për fitoren më 25 prill:

“Shumë parashikime që kisha u prenë prej tërmetit dhe pandemisë, por gjithsesi është i suksesshëm sa i përket menaxhimit të këtyre të dyjave. Ky mandat është mandat që më lë mua personalisht shijen e pakënaqësisë pasi kemi për të bërë shumë më tepër”.

Lidhur me vaksinimin kryeministri kujtoi se deri më tani janë rreth 140 vende që nuk kanë marrë ende vaksinën. Rama solli në vëmendje se një pjesë e vendeve të rajonit nuk e kanë marrë ende. Ai tha se nuk ka vend për të qenë të kënaqur, pasi nuk i kemi marrë ende të gjitha dozat. Kreu i qeverisë theksoi se synohet  të vaksinohet e gjithë  popullata brenda 14 muajve.

Procesi i rindërtimit

Rama foli dhe për procesin e rindërtimit, duke shtuar se ky rindërtim hyn tek shembujt e mirë, tek praktikat e mira.

“Mendoj se brenda vitit të ardhshëm nuk do të ketë asnjë gjurmë nga tërmeti tek asnjë familje që pret të hyjë në apartament sepse shtëpitë individuale mbarojnë shumë më parë. Lagjet e reja do të duan kohën e vet. Kudo ku tërmeti ka goditur do të ketë ngrehina të transformuara”, saktësoi ai.

Pyetjes së gazetares, lidhur me korrupsionin që ka goditur disa spitale tha se sheh anën pozitive, pasi ka pafund raste të konkretizuara me prangosjen e abuzuesve.

“Këto raste kanë një mesazh për qytetaret. Çdo qytetar që ndeshet me këtë fenomen duket të denoncojë”. Rama tha se drejtësia e re po jep disa shenja të rëndësishme dhe se këto raste nuk mund të hedhin baltë mbi bluzat e bardha.

Rama – Meta

Disa ditë më parë presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, nga studio e One TV është shprehur se sistemi i shëndetësisë lë shumë për të dëshiruar. Lidhur me këtë  deklaratë, Rama tha se Meta po e shpërdoron në mënyrë të përditshme institucionin e presidentit për qëllime partiake.

Investimet në Vlorë

Pyetjes së gazetares në raport me investimin në Portin e Vlorës dhe nëse duhet të besojnë qytetarët në këtë projekt. Rama tha se në vendin tonë është folur për porte dhe aeroporte që prej 30 vjetësh.

“Shpresoj që në ditët në vijim të kemi rezultatin e garës ndërkombëtare për Aeroportin e Vlorës që u bë një  legjendë si rezultat i ndërhyrjes që COVID-19 i dha posaçërisht industrisë aeroportuale dhe bëri që të tërhiqen shumë kompani që ishin shumë të interesuara. Po kështu për portin. Projekti i portit turistik dhe i portit tregtar është gati.”

“Por të shohim nga u nisëm. Shqipëria që kemi sot nuk ka të krahasuar me atë që kishim para 7 vitesh”,– tha Rama.

Zgjedhjet e 25 prillit

Lidhur me kandidaturat e zgjedhjeve në 25 prill Rama tha se ky proces që kanë filluar prej më shumë se një viti.

“Diçka është e qartë që drejtuesit e qarqeve do të jenë deputetë. Nuk kam asnjë vlerësim negativ për asnjë nga deputetët. Kam arsye të besoj se të gjithë mund të kishin bërë më shumë. Edhe unë vetë mund të kisha bërë më shumë. Për sa i përket qarqeve do të jenë drejtuesit e qarqeve që do të propozojnë listat. Di që skuadra do të jetë gati një ditë përpara se të bjerë bilbili përpara finales, si gjithmonë”.

Pyetjes nëse do largohet si kryetar i PS nëse humbet zgjedhjet iu përgjigj me shprehjen e famshme shqiptare.

“Ne kemi një shprehje për hallën dhe xhaxhain. Unë nuk di të flas me nëse. Unë di që do t’i fitojmë zgjedhjet”, – tha kryeministri.

I pyetur se kujt do t’i drejtohej për koalicion pas 25 prillit nëse do të kishte nevojë për të garantuar një mazhorancë, kryeministri u shpreh:

“Në do t’i fitojmë zgjedhjet siç fituam mandatin e dytë me mjaftueshmërisht mandate deputetësh për të udhëhequr Shqipërinë. Pastaj se si do të gjendet rrugë bashkëpunimi mes forcave politike për të rritur cilësinë e bashkëjetesës, kjo duhet parë”.

“Por koalicione nga halli nuk do të ketë” – tha Rama. Ai shtoi se e lehtëson fakti që Ilir Meta nuk do të bëjë kurrë koalicion me PS-në.”

 Një mandat i tretë

Pyetjes së gazetares se përse duhet t`i besojnë shqiptarët një mandat të tretë, kryeministri iu përgjigj duke thënë se të gjithë shqiptarët duan që të gjitha punët e nisura të mbarojnë.

Kryeministri bëri me dije se  është hapur gara për rrugën e Selenicës. Shumë shpejt do të fillojë rruga. Ndërkohë, kryeminstri nuk i kurseu batutat për presidentin Meta.

“Shpresoj të na nderojë dhe presidenti Meta me praninë e tij dhe meqenëse i dhimbset Vlora shumë dhe meqë vjen natën për takime në Vlorë”, thumboi Rama.

Investimi në Selenicë dhe në Radhimë

Rama tha se është zgjidhur dhe problemi i projektit të Radhimës me fondin saudit. Ky projekt është vazhdimi i Lungomares. Rama tha se pengesa që Meta krijoi është kapërcyer. Të dyja projektet janë do jenë shumë shpejt në kantier.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore