Shqipëria

Rama: Kemi gati paketën e rezistencës sociale për krizën e çmimeve


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook ka njoftuat se është gati paketa e rezistencës sociale për të përballuar pasojat e krizës së çmimeve.

Rama shprehet se janë në përfundim të punës për këtë paketë, të cilën do ta shpalosin në ditët në vijim.

“Paketa e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës globale energjetike si edhe të luftës në Ukrainë mbi çmimet po merr formë përfundimtare”, shkruan ai në postimin e tij duke e shoqëruar me një foto nga mbledhja qeveritare.

Ndërkohë qytetarët kanë vijuar me protestën e tyre që shënjon ditën e katër.

Më herët në mëngjes Rama tha se është ngritur bordi i mbikëqyrjes për furnizuesit e naftës.

Kështu, çmimet do të kalojnë në filtrin e transparencës dhe marzhi i fitimit të kompanive do të ngrijë, për të mos lejuar asnjë abuzim në kurriz të qytetarëve.

Kryeministri paralajmëroi se do të ketë masa deri në mbyllje për abuzuesit me çmimet.

“Nuk do të ketë asnjë tabelë në çdo pikë karburanti ku do të shfaqet një çmim pa u aprovuar nga bordi, kush e bën do të humbasë karburantin”, deklaroi fillimisht Rama në konferencën e tij me furnizuesit e naftës më 11 mars.

Referuar këtij vendimi, Rama ka sqaruar se “është luftë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore