Lajme

Rama i reagon ministrit Murati: Puna ime po ju pengon, prandaj po bllokoni projekte dhe sulmoni me gjuhë të ulët


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pas akuzave të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati i cili e fajësoi Ramën se po i merr meritat për punën e të tjerëve, i pari i Prishtinës ka thënë se puna e tij është duke i penguar ministrave të Qeverisë së Kosovës.

Rama, përmes një reagimi publik ka thënë se projekti “Solar4Kosovo”, duhet t’i bëjë bashkë edhe komunën edhe ministrinë e jo t’i ndajë.

“Tash e sa kohë, puna ime po u pengon ministrave të caktuar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilët në vend se të ndihmojnë në zhvillimin e Kryeqytetit, bllokojnë projektet e sulmojnë me gjuhën më të ulët”.

“Një prej këtyre sulmeve ndodhi edhe dje, kur Kryeqyteti nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Obiliqit, për realizimin e projektit të Ngrohjes Diellore “Solar4Kosovo”.

“Me anë të kësaj marrëveshjeje ne si Kryeqytet kemi marrë përgjegjësinë që të kryejmë obligimet financiare që do të dalin nga procesi i shpronësimit të pronave të cekura në marrëveshje, sepse pa këtë shpronësim nga ana e Kryeqytetit nuk bëhet projekti”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai tutje ka sqaruar se për këtë marrëveshje Prishtina dhe komuna e Obiliqit, kanë punuar 18 muaj në mënyrë intensive, dhe në këtë proces kanë bashkëpunuar me Ministrinë e Mjedisit, për ta rregulluar jetën e qytetarëve.

Rama, ka përmendur edhe sulmet që iu bën rreth organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

“Ngjashëm, edhe sulmet rreth organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, nuk kanë të ndalur, me tentime për neutralizimin e rolit që ka Kryeqyteti si nikoqir në organizimin e kësaj ngjarje historike.  Sipas marrëveshjes, Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare i beson qytetit të Prishtinës dhe Komitetit Olimpik, organizimin e lojërave mesdhetare në Kryeqytet”.

Sipas tij, “kjo gjuhë e përdorur nga ministra të caktuar të Qeverisë përveç se e dëmton organizimin e këtyre Lojërave, e prish edhe imazhin e Kosovës”.

Ndërsa, ka thënë se ndalimi i të hyrave vetanake u bë në mënyrë plotësisht të padrejtë e që solli edhe pasoja.

“Këta ministra: i mbajtën afër 30 milionë Euro buxhet të Kryeqytetit në mënyrë të padrejtë deri në muajin korrik 2023; nuk e përfshinë Kryeqytetin në përzgjedhje të projekteve të mëdha infrastrukturore siç është Salla e Operas dhe Baletit; vazhdojnë të bllokojnë projektin e Unazës së Kryeqytetit; dhe vazhdimisht refuzojnë kërkesat për bashkëpunim”.

Rama, ka përfunduar këtë deklaratë duke thënë se do të vazhdoj punën e tij në bashkëpunim me komunën e Obiliqit për “Realizimin e Projektit të ngrohjes diellore “Solar4Kosovo”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore