Shqipëria

Rama dhe Rindërtimi në Shijak: Vijon puna për përfundimin e 31 pallateve


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar pamjet e punimeve nga Shijaku, aty ku sipas tij vijon puna për përfundimin e 31 pallateve të tjera.

Numri një i qeverisë shqiptare kujtoi në statusin e tij se në Shijak janë dorëzuar deri më tani 802 shtëpi në kuadër të Programit të Rindërtimit.

Në 31 kantieret e hapura të ndërtimit, do të akomodohen edhe 660 familje, nënvizon kryeministri shqiptar.

Më herët, zëvendës kryeministri dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, zbulonte dhe rritjen e fondit të rindërtimit.

“Gjithë fondi i rindërtimit për këtë vit kalon nga 28 miliardë në 35 miliardë lekë”.

Këtë e bëri të ditur fill pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave mëngjesin e 9 dhjetorit, për sa i përket “Programit të Rindërtimit”.

Ahmetaj bënte me dije se fondi i shtuar prej 7 miliardë lekësh do të financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Kjo e fundit do të financojë të gjitha bashkinë e Tiranës dhe dhjetë bashkitë e tjera që janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Duke folur për shifrat, numri dy i qeverisë ravijëzoi se 12 mijë familje do të futen në gjithë këtë periudhë në shtëpitë e tyre.

Deri më tani, sipas zëvendës kryeministrit 35 mijë familje kanë përfituar nga Programi i Rindërtimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore