Shqipëria

Rama dhe Balluku çelin nisjen e punimeve të “Tunelit të Llogarasë”


Mëngjesin e 14 nëntorit ka nisur puna për ndërtimin e “Tunelit të Llogarasë”. Të pranishëm për të parë nga afër çeljen e punimeve ishin Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Rama në fjalën e tij deklaroi se ky projekt ka qenë “në sirtar për tre dekada”. Sipas tij kjo ka qenë, “një nga kryefjalët e premtimeve të gjithë atyre që kanë kaluar nga këto anë në fushata elektorale”.

Ministrja Balluku deklaroi se ky projekt do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi dhe në punësim.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“Hyrja e tunelit do të jetë rreth 500 metra dhe koha do të shkurtohet nga 55 minuta deri në 7-10 minuta”, tha Ministrja Balluku në fjalën e saj.

Si Kryeministri ashtu dhe Ministrja e kanë cilësuar si një vepër madhore, e cila do të ngrejë në një nivel tjetër rrjetin infrastrukturor të Shqipërisë.

Balluku theksoi faktin se do të duhen 33 muaj për të përfunduar ndërtimin e “Tunelit të Llogarasë”.

Sipas dy drejtuesve të lartë të shtetit ky tunel do të shkurtojë “ndjeshëm kohën e udhëtimit në bregdetin jonian”. Si dhe do të rrisë cilësisht sigurinë për të gjithë udhëtarët vendas e të huaj, në mbështetje të zhvillimit të mëtejshëm turistik të Shqipërisë.

Manovrën e parë të nisjes së punimeve e bëri një vajzë, e cila sipas Ramës ka qenë ikonë e këtij ndërtimi që prej vitit 2013.

Vajza që shtypi butonin për çeljen e nisjes së punimeve të Tunelit të Llogarasë, 14 nëntor 2021.

“Unë nuk pres shirita, nuk besoj tek gërshërët sepse jam shumë i fokusuar tek fundi, jo tek fillimi i punëve, por meqë këtë rast nuk është shirit, por buton. Dikush duhet ta shtypë këtë buton dhe kërkova që ajo vajza që u bë ikonë e këtij ndërtimi ta shtypë butonin”, e mbylli Kryeministri Rama.

Ndër të tjera numri një i qeverisë shqiptare numëroi të gjitha numëroi projektet për porte dhe aeroporte, të cilat kanë qenë kryefjala e në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Projekti i Tunelit të Llogarasë

Ky tunel do të ketë gjatësi prej 5.9 kilometrash dhe do ta shkurtojë kohën e udhëtimin nga 55 minuta në 10, e cila lidh mespërmes gjithë Qafën e Llogarasë. Ai nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës.

Një konsorcium turk, i përbërë nga dy kompani, Intekar Yapi dhe ASL, kanë fituar të drejtën e ndërtimit të tunelit, me vlerë 17 miliardë lekë (138.9 milionë euro).

Ky do të jetë edhe projekti i parë, që ky konsorcium ka marrë përsipër të ndërtojë në Shqipëri. Sfida ndërkaq, nuk është e thjeshtë, me një vepër madhore në infrastrukturë, e cila pritet të ketë afat 36-mujor për përfundimin e punimeve.

Sipas të dhënave publike të Intekar Yapi dhe ASL, konsorciumi privat ka 600 persona të punësuar. Shoqëria, me përgjegjësi të kufizuar, është themeluar në vitin 1989.

Ajo vepron ekskluzivisht në fushën e infrastrukturës.

Ndër më kryesoret, janë ndërtimi i rrugëve, punimet tokësore, struktura inxhinierie, si ura, tunele e diga dhe rrjete të kanalizimeve ujore.

Pavarësisht faktit se kjo do të jetë vepra e parë që shoqëria do të ndërtojë në Shqipëri, ajo është e njohur për vepra madhore në Turqi, në kryeqytetin Ankara dhe në qytete të tjera si Izmiri apo Stambolli.

Me projektin tërësisht në vijë, e vetmja gjë që pritet tashmë është mbarimi i punimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore