Shqipëria

Rama dallon reformën në drejtësi dhe fundin e pandëshkueshmërisë në Samitin e Demokracisë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi gjatë Samitit të Demokracisë se reforma në drejtësi po i tregon më në fund Shqipërisë se lufta ndaj korrupsionit është “jo vetëm e mundshme por e bëshme”.

Samiti shumëditor i këtij viti po bashkëorganizohet nga Presidenti amerikan Joe Biden, si dhe liderët e Kosta Rikës, Holandës, Koresë së Jugut dhe Zambisë.

“Reforma jonë në drejtësi, që është në themel të agjendës sonë të reformave transformuese po i tregon më në fund vendit se, po, të luftosh korrupsionin është jo vetëm e mundshme por e bëshme. Ndaj, falë një reforme të tillë tërësore dhe institucioneve krejt të reja të drejtësisë ajo çfarë ishte historikisht e paimagjinueshme deri pak vite më parë po bëhet praktikisht e mundur: individët e lidhur me pushtetin dënohen dhe ndiqen penalisht”, theksoi fillimisht kreu i Qeverisë.

Sipas tij, Shqipëria vazhdon të punojë drejt një qeverisjeje më të hapur, më reaguese dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve të saj.

Ndër të tjera, Rama renditi se edhe përmirësimi i jetës demokratike mbetet “përparësia jonë kryesore dhe t’u shërbejmë më mirë qytetarëve tanë është pjesa më e rëndësishme e punës sonë të përditshme”.

“Si një vend që ka përjetuar errësirën e regjimit diktatorial dhe mungesën e lirive bazë, që prej momentit që është bërë pjesë e bashkësisë së demokracive Shqipëria ka dëshmuar jo vetëm angazhim kombëtar për të ndërtuar një shtet që mbështetet te institucionet demokratike por po ashtu ka ecur me këmbëngulje në rrugëtimin e saj sfidues pikërisht drejt këtij destinacioni të ri në historinë tonë”, shtoi ai.

Në përmbyllje, Rama solli në vëmendje se është bërë shumë punë në të gjitha frontet, por duhet bërë edhe më shumë, “ndaj kjo është ajo për të cilën luftojmë duke qenë të përqendruar te destinacioni ynë i ri i integrimit të plotë të Shqipërisë në komunitetin euroatlantik dhe duke i shërbyer këtij qëllimi krah për krah me aleatët tanë të mëdhenj”.

Fjala e plotë:

“Është nder për mua t’i drejtohem për herë të dytë këtij Samiti të Demokracisë, të nisur nga presidenti i SHBA-ve.

Një vit pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës, ky raund i dytë i mbledhjes së demokracive rreth tryezës përfiton një kuptim të ri sa i takon urgjencës dhe rëndësisë së tij.

Si një vend që ka përjetuar errësirën e regjimit diktatorial dhe mungesën e lirive bazë, që prej momentit që është bërë pjesë e bashkësisë së demokracive Shqipëria ka dëshmuar jo vetëm angazhim kombëtar për të ndërtuar një shtet që mbështetet te institucionet demokratike por po ashtu ka ecur me këmbëngulje në rrugëtimin e saj sfidues pikërisht drejt këtij destinacioni të ri në historinë tonë.

Ne kurrë nuk do mundemi të falënderojmë mjaftueshëm modelet tona dhe aleatët tanë strategjikë SHBA-të dhe BE-në që na frymëzojnë dhe mbështesin në këtë rrugë të re plot kthesa.

Edhe pse ende një demokraci shumë e re, sot Shqipëria është anëtare krenare e kësaj bashkësie demokracish duke dëshmuar vlerat dhe bindjet e saj në arenën ndërkombëtare jo vetëm si anëtare e NATO-s dhe një vend kandidat i BE-së por edhe duke përmbushur detyra të veçanta si kryesimi i OSBE-së në vitin 2020 ose mandati aktual si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit në OKB.

Nga ana tjetër, përmirësimi i jetës demokratike mbetet përparësia jonë kryesore dhe t’u shërbejmë më mirë qytetarëve tanë është pjesa më e rëndësishme e punës sonë të përditshme.

Revolucioni digjital i shërbimeve publike në Shqipëri që nisi vetëm me pak shërbime në platformën tonë kombëtare e-Albania disa vjet më parë u ka dhënë qytetarëve tanë tanimë mundësinë e marrjes së 1 mijë e 225 shërbimeve online ose rreth 95 për qind të të gjitha shërbimeve publike online që nënkupton më shumë transparencë dhe jo më ryshfet në ndërveprimin midis shtetit dhe qytetarëve të tij.

Kjo nuk do të thotë se mund të deklarojmë fitoren kundër korrupsionit, por thjesht se mund të provojmë ambicien, vullnetin dhe këmbënguljen tonë për ta luftuar atë me një vizion të qartë modernizimi.

Reforma jonë në drejtësi, që është në themel të agjendës sonë të reformave transformuese po i tregon më në fund vendit se, po, të luftosh korrupsionin është jo vetëm e mundshme por e bëshme.

Ndaj, falë një reforme të tillë tërësore dhe institucioneve krejt të reja të drejtësisë ajo çfarë ishte historikisht e paimagjinueshme deri pak vite më parë po bëhet praktikisht e mundur: individët e lidhur me pushtetin dënohen dhe ndiqen penalisht.

Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë në historinë e Shqipërisë.

Si pjesë e Nismës së Partneritetit për Qeverisje të Hapur, Shqipëria vazhdon të punojë drejt një qeverisjeje më të hapur, më reaguese dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve të saj.

Ne jemi krenarë që gjendemi në krye të indeksit të OKB-së për pjesëmarrjen e grave në qeverisje dhe që shohim sesi hendeku gjinor në forcën e punës zvogëlohet çdo vit me hapa të qëndrueshme.

Është bërë shumë punë në të gjitha frontet, por duhet bërë edhe më shumë, ndaj kjo është ajo për të cilën luftojmë duke qenë të përqendruar te destinacioni ynë i ri i integrimit të plotë të Shqipërisë në komunitetin euroatlantik dhe duke i shërbyer këtij qëllimi krah për krah me aleatët tanë të mëdhenj.

Kohët e fundit ne pësuam një sulm kibernetik mjaft të rëndë nga një diktaturë, Irani dhe mbetemi shpresëplotë se aleatët e Shqipërisë mbi të gjitha SHBA-të do të bëjnë më shumë për të na ndihmuar të mbrojmë vendin tonë në një luftë që nuk mund ta fitojmë të vetëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore