Lajme

Rama: Ambasadori Hovenier më kërkoi vetë takim


Ilustrim/Edi Rama dhe Jeff Hovenier

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar raportimin e Albanian Post se pas takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shkëmbyer mendime edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Në një intervistë për televizionin “Klan Kosova”, kryeministri shqiptar ka thënë se takimi është realizuar me kërkesën e vetë ambasadorit Hovenier, meqënëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përjashtoi kategorikisht mundësinë e një takimi me homologun e tij, me të cilin kurrsesi të gjejë pajtueshmëri si të lëvizet përpara.

“Ambasadori Hovenier më kërkoi vetë takim. Nëse do të takoja kryeministrin s’do kisha kohë, por meqënëse nuk e takova kryeministrin, takova ambasadorin. Unë do të takojë edhe ambasadorin e Palestinës po të më kërkonte… takimi është gjëja më e mirë që ndodhë në jetën e njerëzve”, tha kryeministri Rama.

Kreu i ekzekutivit shqiptar nuk ka dhënë detaje nëse me ambasadorin Hovenier ka diskutuar për mënyrën se si të zgjidhet kriza gjithnjë e më e mprehtë në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe gjithashtu, rruga drejt implementimit të planit tre-pikësh të Bashkimit Evropian.

Angazhimi i Ramës

Shefi i qeverisë shqiptare kohët e fundit është angazhuar intensivisht në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nën patronazhin e Bashkimit Evropian, i cili edhe ka bërë përpjekje dhe propozime të vazhdueshme për të gjetur një rrugë drejt qetësimit të situatës në veriun e Kosovës dhe kthimit në dialogun e Brukselit.

Megjithatë, ndonëse angazhimi aktiv i Kryeministrit Rama për të gjetur zgjidhje në krizën aktuale mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka marrë konsideratë minimale nga liderët institucionalë në Kosovë, autoriteti dhe konstruktiviteti i tij janë vlerësuar me nota pozitive nga diplomatët evropianë dhe ata amerikanë.

“Ai luan një rol aktiv dhe konstruktiv në krejt këtë krizë, ngase ai është njohës i mirë i situatës në terren. Sigurisht, si kryeministër i Shqipërisë, zëri i tij është mjaft autoritativ dhe duhet dëgjuar. E di se sa shumë kohë ka investuar për të gjetur një zgjidhje”, ka thënë Miroslav Lajçak – Emisari Special i Bashkimit Evropian.

Por tensionet në pjesën e banuar me serbë etnikë dhe vendosja e “masave ndëshkuese” ndaj Kosovës nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare, ka shtyrë kryeministrin Rama që të anulojë mbledhjen tradicionale mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës me arsyen e “mospërshtatjes me rrethanat e reja të krijuara”.

Ndërkaq, shefi i ekzekutivit kosovar, në një konferencë për media të mërkurën, ndërsa anulimin e mbledhjes së përbashkët e konsideroi si të “paarsyeshme”, theksoi se me kryeministrin Rama do të takohet veç në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, por jo në takime të tjera.

“Unë miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Rama, meqenëse do të vijë e të qëndrojë dy ditë e një natë në Prishtinë, që të mbajë edhe mbledhjen e dy qeverive, që ishte anuluar paarsyeshëm… Nëse kryeministri Rama insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, atëherë unë ngelem tek qëndrimi im”, tha Kryeministri Kurti.

Kryeministri Rama nga ana tjetër ka propozuar format më të ngushtë të mbledhjes ekzekutive Kosovë – Shqipëri, duke përfshirë ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes nga të dy vendet për të diskutuar lidhur me situatën në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, porse kjo ide nuk është pranuar nga kreu i ekzekutivit kosovar.

Ndërkaq, takimi mes Kryeministrit Rama dhe Presidentes Osmani vjen në një moment vendimtar për të ardhmen e marrëdhënieve mes Qeverisë së Kosovës dhe pjesës tjetër të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare, por edhe mes Shqipërisë, ndërsa në politikën kosovare gjithnjë e më shumë po shihet një “çarje” ndër-institucionale.

Kryeministri Rama nuk e prezanton tashmë vetëm një shtet të shqiptarëve dhe një republikë të vogël ballkanike, por një shtet anëtar në NATO dhe në paradhomë të Bashkimit Evropian. Dhe shtetet anëtare të NATO-s përpos ombrellës së sigurisë dhe privilegjeve, kanë edhe detyrime për mbrojtje të politikave të traktatit veri-atlantik.

Shuarja e tensioneve është interes strategjik edhe i Shteteve të Bashkuara dhe Kryeministri Rama e di këtë, prandaj ka marrë “anën pragmatike” të shtetit aleat e jo “anën ideologjike” të Kryeministrit Kurti, ndërsa Presidentja Osmani aktualisht mbetet “pragu i fundit” i mbrojtjes së vlerave të përbashkëta euro-atlantike të kosovarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore