Lajme

Rakiq nga Lista Serbe ankohet se serbëve të tjerë “po ua rrahë Albin Kurti shpinën”


Kryetari i Listës Serbe në Kosovë, Goran Rakiq, ka thënë se “asnjëherë nuk do të heqim dorë nga Asociacioni i komunave serbe në Kosovë”, në një intervistë për gazetën serbe Politiko.

“Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që Lista Serbe të ketë në dorë 10 mandatet në mënyrë që të mund të insistojmë në zbatimin e marrëveshjes dhe t’ia përkujtojmë Bashkimit Evropian se është detyrim i Prishtinës të cilin e ka garantuar Brukseli”, pohoi Rakiq.

Për mos krijimin e Asociacionit, ish-kryetari i Mitrovicës Veriore e akuzon palën kosovare.

Madje për këtë thotë se e “kanë edhe përkrahjen e Bashkimit Evropian”

“Natyrisht që shqiptarët me anë të përkrahjes së heshtur nga BE shtyjnë anash të gjitha ato pika të marrëveshjes të cilat janë në interesin e popullit serb”.

Ish-kryetari i Mitrovicës Veriore është ankuar se kinse nga lista e votuesve janë shlyer 16,000 mijë serbë.

“Me anë të analizave dhe punës në teren kemi kuptuar se një numri të caktuar të qytetarëve, edhe pse mbajnë dokumente të Kosovës, u është mohuar e drejta e votimit ngase nuk gjenden në listat e votuesve”.

Ai ankohen se Kosova po dëshiron t’ia zvogëlojë “fuqinë popullit serb”, duke tentuar sipas tij ta dëmtojnë Listën Serbe.

“E vërteta është se Prishtina vazhdimisht dëshiron të zvogëlojë fuqinë e popullit serb më anë të përpjekjeve të dobësimit të Listës Serbe nëpër institucione në nivelet qendrore dhe lokale. Kështu edhe përpiqen të ndalohen mundësitë e drejtës së votimit nga mijëra serbë në tërë Kosovën”.

“Ligji mbi zgjedhjet e përgjithshme garanton se në zgjedhje mund të përdoren edhe identifikimet e të zhvendosurve dhe refugjatëve, por në terren kjo shpërfillet”.

“Ky vendim i Komisionit Qendror Zgjedhor duhet të jetë shtytje për bashkatdhetarët tanë që më 14 shkurt të tregojnë se sa shumë jemi, sa e përkrahim politikën e Listës Serbe, që ka për themel ruajtjen e lidhjeve të fuqishme në mes Beogradit dhe serbeve në Kosovë”.

Rakiq i ka akuzuar politikanët serbë në Kosovë që nuk janë pjesë e Listës Serbe të cilët sipas tij “po krenohen sepse ua rrahë shpinën Albin Kurti”.

“Nenad Rashiqi, Sblobodan Petkoviqi dhe Rada Trajkoviqi punojnë për interesa të shqiptarëve”.

“Por krenohen sepse ua rrahë shpinën Albin Kurti, i cili ka paralajmëruar krijimin e të ashtuquajturës ‘Shqipërisë së Madhe’ dhe heqjen e të drejtave të popullit serb.

“Ne si popull duhet që më 14 shkurt të përkrahim kandidatët tonë të cilët janë ushtarë besnikë të popullit dhe vendit të tyre”.

Politikani serb nga Kosova u shpreh i rezervuar kur u pyet për “Shqipërinë e Madhe”.

“Kemi arritur që nëpërmes politikës së Aleksander Vuçiçit të mbrojmë paqen dhe popullin tonë në këto toka, dhe kështu edhe do të vazhdojmë me përkrahjen e popullit tonë”.

“Megjithatë, kushdo që të zgjidhet nga ana e shqiptarëve, duhet të ketë parasysh edhe faktin se duhet të tregohet respekt ndaj popullit serb nëse dëshirojnë të kenë çfarëdo bashkëpunimi me listën Serbe”, përfundoi Rakiq.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore