Lajme

Qindra të evakuuar në Francë pas përhapjes së zjarreve


Në Francën jugperëndimore, qindra njerëz të tjerë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre pasi zjarret vazhduan të dalin jashtë kontrollit.

Referuar autoriteteve, mbi një mijë zjarrfikës të mbështetur nga nëntë avionë bombardues me ujë janë duke luftuar që nga e marta për të kontrolluar dy flakët.

Shkaku i tyre ka qenë nxehtësia përvëluese, kushtet e zjarrit dhe erërat e forta.

“Situata është ende e pafavorshme”, ka deklaruar autoriteti për Gironde, ku flakët janë ndezur.

Tanimë, zjarret kanë djegur 7 mijë e 300 hektarë, një total që u rrit me dy mijë hektarë gjatë natës.

Një tjetër zjarr që shpërtheu pranë qytetit juglindor Tarascon të enjten dhe që dogji të paktën një mijë hektarë është stabilizuar.

Po ashtu zjarret kanë shpërthyer në të gjithë Portugalinë, Spanjën dhe Kroacinë, duke djegur shtëpi dhe duke kërcënuar jetesën.

E gjitha teksa pjesa më e madhe e Evropës u ndez në një valë të nxehti që ka shtyrë temperatura të larta në disa pjesë.

Një nga dy zjarret në Gironde ishte rreth qytetit të Landira-s në jug të Bordo, ku 4 mijë e 200 hektarë janë djegur, rrugët janë mbyllur dhe 480 banorë shtesë janë evakuuar, duke e çuar totalin e atjeshëm në rreth një mijë.

Zjarri tjetër, i cili ka djegur 3 mijë e 100 hektarë, ka qenë përgjatë bregut të Atlantikut pranë “Dune du Pilat” në zonën e gjirit Arcachon, mbi të cilin shtëllunga tymi u panë duke u ngritur në qiell.

Rreth gjashtë mijë njerëz u evakuuan nga kampet përreth të mërkurën, dhe katër mijë të tjerë të enjten në mëngjes.

Tre shtëpi dhe dy restorante u shkatërruan gjatë natës në atë zonë.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore