Lajme

“Qeverinë e ardhshme do ta krijojë opozita”, thotë Tahiri


Shefi i grupit parlamentar nga PDK-ja, Abelard Tahiri.

Pas mbledhjes së kryesisë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sipas tij, Qeverinë e ardhshme do ta krijojë opozita.

“Jemi jashtëzakonisht të gatshëm dhe jemi të bindur se në këto zgjedhje, kurdo që do të mbahen, Lëvizja Vetëvendosje më nuk do të arrijë të krijojë qeverinë dhe qeverinë do ta krijojë opozita”, ka thënë Tahiri.

Ai ka bërë të ditur se grupi parlamentar i PDK-së me mbështetjen e 40 deputetëve kanë ftuar një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar çmimin e energjisë elektrike.

“Ditën e enjte do ta kemi vetëm seancën e propozuar nga GP i PDK-së. 300 milionë euro nuk janë shfrytëzuar nga qytetarët, pikërisht për shkak të kësaj qeverie. Konsiderojmë që sa më herët të shkojmë në zgjedhje, përfitues do të jenë qytetarët e vendit tonë.”.

Sipas tij, sondazhet e kanë nxjerr opozitën fituese në disa komuna.

“Kur flasim për sondazhe, ju e dini që pikërisht kanë qenë të njëjtit, komplet opozitën e kanë nxjerrë me 3-4 komuna. Ju e dini që partitë opozitare i ka 2/3-at e komunave. Konsiderojmë që ne nuk i marrim për bazë fare sondazhet e tilla”.

“Ne sot shohim pakënaqësinë e qytetarëve, e shohim tendencën për largim nga vendi”.

I një mendimi të ngjashëm është shprehur edhe shefi i grupit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, i cili ka thënë se Qeveria Kurti pushtetin mund ta ketë më së shumti edhe një vit.

“Jemi në një fazë delikate, në të cilën po kalon vendi. Maksimumi i mundshëm që Kurti do të jetë në pushtet është tash një vit. Ne jemi tashmë ka filluar numërimi mbrapsht, po i referohemi fundit të kësaj qeverisje dhe kur ne i kthehemi qytetarëve”, ka thënë Gashi.

Arben Gashi

Ai ka deklaruar se ky vit po fillon me seancën e jashtëzakonshme që lidhet me çmimet e larta të energjisë elektrike.

“Po fillojmë me një seancë të jashtëzakonshme lidhur me çmimet e larta të energjisë elektrike, faturat e jashtëzakonshme që kanë shkaktuar shqetësim të jashtëzakonshëm te qytetarët e Republikës”.

“Do të diskutohet pse janë këto fatura kaq të fryra dhe cilat duhet të ishin zgjidhjet. Vazhdojmë të kemi shqetësimin e njëjtë nga vullneti i Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar komisioni hetimor për rezervat shtetërore”, ka thënë ai.

Edhe shefi i grupit parlamentar nga Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka vlerësuar se kryeministri aktual, Albin Kurti, nuk do të mund t’i fitojë mbi 50 për qind të votave.

“Viti 2024 është vit zgjedhor. AAK-ja në këtë vit zgjedhor hyn më e përgatitur se kurrë. AAK-ja do të jetë boshti politik. Unë pres që zgjedhjet të jenë të rregullta për shkak se nuk ka shans Albin Kurti ta lë gjithë këtë privilegj se s’mundet me i marrë 50 për qind”, ka theksuar ai.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Ndërsa, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, fillimin e punës së Kuvendit e ka konsideruar si “jo të mbarë”.

“Nuk kemi ndonjë seancë të rregullt, fillim ky që unë e quaj jo të mbarë pasi që do të duhej të kishim një seancë të rregullt që fillon me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe me agjendën që i ka 31 pika, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare dhe një mori projektligjesh që i kanë plotësuar kushtet për të ardhur në seancë e për t’u votuar në dy leximet”.

Si arritje të LVV-së ajo e ka cilësuar liberalizimin e vizave.

“Kemi një listë të arritjeve dhe sukseseve që kanë filluar të zbatohen në raport me pozicionin e Republikës sonë në subjektivitetin ndërkombëtar prej procesit të liberalizimit të vizave, te njohja e pasaportës së Kosovës nga të gjitha vendet jonjohëse, përfshirë edhe Spanjën”, ka thënë ajo.

Ndërsa, të enjten Kuvendi i Kosovës, do të nis seancat pas pushimit dimëror.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore