Lajme

Qeveria me vendim për naftëtarët – Nuk iu lejon më shumë se 6% fitim


Ilustrim

Qeveria e Kosovës, ka marrë Vendim që të përcaktoj çmimet shitëse maksimale për shitjen me shumicë e pakicë të derivateve të naftës.

Vendimin e marrë me një mars, Qeveria e arsyeton duke thënë se ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës në Republikën e Kosovës, kështu vendimi përcakton çmimet shitëse maksimale/marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë.

Vendimi përmban disa masa.

“Te shitësit me shumicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 4% të çmimit të shitjes”.

“Te shitësit me pakicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 6% të çmimit të shitjes”, thuhet në Vendim.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës përmes këtij Vendimi ka obliguar të gjitha deponitë dhe pikat shitëse të naftës dhe derivateve të naftës, të mbajnë në çdo kohë në stoqe së paku 5 % të kapaciteteve të tyre deponuese, për qëllime të rezervave emergjente.

Nga ana tjetër, ky vendim po ashtu obligon Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Inspektoratin e Tregut Qendror dhe Lokal, Administratën Tatimore, Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe organet e tjera të administratës shtetërore, që të mbikëqyrin zbatimin e këtij vendimi qeveritar.

Ky vendim ka hy në fuqi sot (2 mars), dhe i tillë do të mbetet deri më 31 maj të këtij viti.

Këto masa Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë pasi që në treg ka pasur lëvizje të çmimeve të derivateve dhe produkteve të ushqimit pas fillimit të invazionit rus mbi Ukrainën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore