Lajme

Qeveria Kurti me qasje selektive për pagesën e energjisë elektrike – vendim antikushtetues


Mitrovica e Veriut.

Qytetarët e Mitrovicës Verore që nga viti 1999 nuk e paguajnë energjinë elektrike, kjo për arsye se askush nuk ju kërkon një gjë të tillë.

Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë, për rritje të faturave të banorëve, përveç që ka shkaktuar konfuzion tek qytetarët nga njohësit e fushës juridike konsiderohet edhe vendim antikushtetues.

Kështu ka bërë të ditur për Albanian Post, juristi Arbër Jashari, i cili bën të ditur se qasja selektive e shtetit cënon rëndë disa nga parimet kryesore.

“Qasja selektive e shtetit, qoftë në favorizimin e një grupi të caktuar etnik, kundrejtë një grupi tjetër, qoftë në disfavorizimin e tij, cënon rëndë këto vlera”, thotë Jashari për AP.

Ai shton se kjo është e bazuar në nenin shtatë të Kushtetutës i cili bazohet në disa parime.

“Republika e Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit, të të drejtave dhe të lirive të njeriut sundimit të ligjit dhe mosdiskriminimit”.

Kushtetuta e Kosovës.

Sipas Jasharit, “shteti i Kosovës është ngritur mbi vlerat e barazisë para ligjit dhe mos-diskriminimit”.

Yll Zekaj, menaxher i projekteve në Institutin e Kosovës për Drejtësi, sqaron për Albanian Post se Gjykata Kushtetuese brenda afatit gjashtë mujor duhet të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit në katër komunat.

“Sipas Gjykatës Kushtetuese akti i  kontestuar i Kuvendit, përkatësisht autorizimi i dhënë KOSTT-it për mbulimin e humbjeve në energji elektrike ka karakter të përkohshëm dhe synon procesin e futjes në sistemin e faturimit për konsumatorët e energjisë elektrike në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës”, thotë Zekaj për Albanian Post.

Por, ai pohon se vendimi i ZRRE-së me rritjen e faturimit të energjisë elektrike i mundëson që pjesës veriore të Kosovës që të mos paguajë energjinë elektrike deri në vitin 2023.

“Përderisa, vendimi i ZRRE lidhur me mos zbatimin e vendimit lidhur me rritjen e energjisë elektrike në pjesën veriore të Republikës e shtyn deri në mars të vitit 2023, jashtë afatit që e ka përcaktuar Kuvendi dhe e ka legjitimuar GJK lidhur me obligimin që brenda 6 muajve të zbatohet faturimi në të gjithë territorin e Kosovës”.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE)

Prandaj edhe sipas Zekaj, “tejkalimi i afatit të përcaktuar nga Kuvendi, nga ana e ZREE lehtësisht mund te kontestohet si në aspektin juridik por edhe të diskriminimit, dhe trajtimit jo të barabartë te të gjithë qytetarëve”.

Serbët në Veri: Askush s’na kërkon ta paguajmë rrymën, edhe po të donim

Më 20 janar, ekipi i Albanian Post qëndroi në disa lagje të kësaj komune të enjten paradite. Kamera, filmoi poqët e ndezura para shtëpive në pikë të ditës.

Një ndër arsyet e mos pagesës së faturave të energjisë së konsumuar thonë se është edhe paqartësia se ndaj kujt kanë obligim.

Qytetarët serbë besojnë se me energji elektrike furnizohen edhe nga Kosova e edhe nga Serbia, rrjedhimisht nuk kanë një derë të caktuar se ndaj kujt kanë obligim.

Për këtë, ata kërkojnë nga politikanët që të merren vesh për të zgjidhur këtë problem.

Çfarë nënkupton propozimi i ZRRE-së për rritje të çmimit të rrymës

ZRRE-ja i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D, E.

Nëse jeni në kategorinë A dhe nëse gjatë një muaji shpenzoni 300 kilovatë orë energji elektrike, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 18.87 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 20.40 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 18.87 euro.

Për kategorinë B, ZRRE-ja ka propozuar që fatura të rritet në 29.66 euro. Pra nëse gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro

Në kategorinë C, është propozuar që kjo faturë të rritet në 38.92 euro. Nëse për për një muaj shpenzoni 600 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 35.86 euro.

Në kategorinë D, fatura e energjisë elektrike do të rritet në 74.17 euro. Në rast se gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro.

Në kategorinë E, ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Që do të thotë nëse shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro.

Siç shpjegohet në Raportin Konsultativ të ZRRE-së për Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm të Tarifave të Energjisë Elektrike, rritja prek vetëm dy kategori të amvisërive, D dhe E, përkatësisht ata qytetarë që shpenzojnë mbi 800, përkatësisht mbi 1000 kilovatë.

Qeveria e Kosovës, ka ndarë një shumë prej 75 milionë eurosh në formë subvencionimi për qytetarët edhe bizneset.

Pamje nga protesta e organizuar kundër shtrejntimit të energjisë elektrike

Këto subvencione vlejnë edhe për bizneset, të cilat edhe pas propozimit të ZRRE-së nëse miratohet nuk do të kenë rritje të tarifave të energjisë elektrike.

Sipas ekzekutivit, rritja e faturave për bizneset do të kishte ndikim negative në ekonomi.

“Ngritja e tarifave nuk i ka prekur bizneset. Në këtë mënyrë do të kufizohet ndikimi në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve që ofrohen në ekonominë tonë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Subvencionet e Qeverisë do të shfrytëzohen për një periudhë njëvjeçare.

Faturat me rritje, në rast se propozimi i ZRRE-së kalon, do të fillojnë nga data 1 shkurt, 2022, dhe shqyrtimi i rregullt i tyre pritet të bëhet në muajin mars të vitit 2023.

Më 26 janar, të frustruar me rritjen e çmimit të rrymës dhe qasjen e kryeministrit të Kosovës, qytetarët kanë protestuar në Prishtinë duke brohoritur “Albin mashtruesi”, “Albin rrenci”.

Etiketat “rrenc” dhe “mashtrues” i janë mveshur Kurtit meqë sa ishte në opozitë thoshte se rryma është shumë shtrenjtë dhe premtonte uljen e çmimit, derisa tash po deklaron se “aq lirë ka qenë rryma sa qytetarët nuk e kanë ditur as sa po u vjen fatura”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore