Lajme

Qeveria e Kosovës pati plot opsione për krizën me rrymën – zgjodhi më të keqin


Ilustrim

Për njohësit e çështjeve energjetike propozimi i Zyrës së Rregullatori të Energjisë për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë do të duhej të realizohej në formë graduale në atë mënyrë që të mos ngarkohet buxheti i Kosovës.

Sipas tyre Kosova, nuk ka alternativa për të zbutur krizën energjetike më të cilën është duke u përballur këto muajt e fundit, prandaj qeveria duhet të fokusohet në zgjidhjen e problemit duke krijuar alternativa afatmesme dhe afatgjata.

Tarifat e ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike për Ish-Ministrin e Ekonomisë, Valdrin Lluka, janë të papërballueshme për qytetarin e Kosovës, dhe se deklarimet e KEDS që 69 për qind e qytetarëve nuk do të preken nga ky shtrenjtim janë të pavërteta, marrë parasysh mos llogaritjen e mijëra shtëpive të pabanueshme.

“Nëse hiqen ato shtëpi nga kalkulimet, del se mbi 60 për qind e popullsisë do t’ju dyfishohet fatura mujore. Nuk ka shtëpi që mund të ngrohet me rryme e të mbajë konsumin nën 600 megavatë orë. Ky është kalkulim shumë i gabuar e shumë i anuar”, ka potencuar Lluka, për Albanian Post.

Valdrin Lluka

Sipas tij subvencionimi i importit të energjisë elektrike është metodë standarde, mirëpo afatshkurtër, që aplikohet nga shumë qeveri në kohë krizash.

“Zgjidhjet afatshkurta që Qeveria e Kosovës do të duhet të ndiqte janë, vazhdimi i subvencionimit përmes buxhetit të Kosovës, rritja graduale e tarifave për të lehtësuar ngarkesën në buxhet, stimulimi i qytetarëve për të ulur konsumin e energjisë, sidomos në kohën e pikut”, ka thënë Lluka për AP.

“Në rastin më të keq, kthimi i reduktimeve të furnizimit me energji për qytetarët, lehtësimi i procedurave te bizneset dhe qytetarët në licencimin për prodhim vetanak të energjisë diellore, me mundësi deponimit të tepricës në rrjetin e KEDS”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, ish-drejtoresha e Korporatës Energjetike të Kosovës, Pranvera Dobruna-Kryeziu, opsionin për subvencionim të importit të energjisë elektrike nga Qeveria e Kosovës e sheh si jo të duhur.

“Më mirë është që mjetet e zotuara për subvencionim të përdoren për bashkëfinancimin e projekteve energjetike që e zgjidhin çështjen e furnizimit me energji elektrike si projekti i Skavicës në Shqipëri”, ka thënë Dobruna-Kryeziu.

Pranvera Dobruna-Kryeziu

Ndërsa Lluka ka folur edhe për projektin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” që ishte nënshkruar me kompaninë amerikane “ContourGlobal” në kohën kur ai ishte Ministër i Ekonomisë, duke potencuar se ndërtimi i tij do të krijonte benefite të shumëfishta.

“Kosova nuk do të varej nga importi i energjisë elektrike, ajo do të mund të eksportonte energji në kohën jashtë periudhës së dimrit, për shkak të teknologjisë së avancuar, përdorimi i filtrave të rinj do të nënkuptonte shumë më pak emitime ndotëse si rezultat i përdorimit të thëngjillit, do të gjeneroheshin mijëra vende pune”.

Propozimi i ZRRE-së ka qenë që rryma të shtrenjtohet në përgjithësi me 9 për qind, derisa nëse kalohet shifra prej 600 kilovatë orë (e cila gjatë dimrit gjithmonë kalohet) të futet në përdorim bllok-tarifa.

Me sistemin e bllok-tarifës rryma paguhet gati trefish më shumë sesa çmimi i saj paraprak.

Proporzimi i ZRRE-së për shtrejntimin e energjisë elektrike

Qeveria nuk e ka kundërshtuar këtë propozim të ZRRE-së, veçse ka dhënë subvencione 75 milionë euro, duke rrafshuar rritjen prej 9 për qind, por duke lënë në funksion bllok-tarifën.

Nëse mbetet kështu, konsumatorëve në Kosovë iu bie të paguajnë energji elektrike shumëfish. Ata paguajnë faturën e rregullt, pastaj bllok-tarifën, paguajnë përmes taksave subvencionin e qeverisë dhe paguajnë po ashtu rrymën që shpenzohet në Veri, të cilën nuk e paguajnë serbët që jetojnë atje dhe krejt në fund paguajnë humbjet teknike të energjisë në rrjet, të cilat KEDS-i ua fut në tarifën e përgjithshme.

Për shkak të kësaj situate, është mbajtur edhe një seancë parlamentare e thirrur nga opozita.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore