Kosova

“Qeveri e turpit”, Kadrijaj: Mossigurimi i librave po e rëndon buxhetin e familjeve


Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj.

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për mos sigurimin e teksteve mësimore për nxënësit në këtë fillim vit të ri shkollor, “po e rëndon buxhetin familjar të prindërve te cilët kanë më shume se një fëmijë”.

Kadrijaj përmes një postimi në Facebook, theksoi se kjo qeveri kur është në pyetje interesi i qytetarëve “nuk ka vendimmarrje dhe vonohen në vendime”.

Këto veprime të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, sipas saj “edhe më shume po e komplikojnë jetën e qytetarëve”.

Për subvencionimin e teksteve mësimore, qeveria ka njoftuar se prindërit mund të aplikojnë përmes platformës e-Kosova, mirëpo deputetja Kadrijaj vuri në pikëpyetje efikasitetin e kësaj platforme.

“Sa efikase dhe sa e sigurt është që kush aplikon në platformën E-Kosova do funksionojë dhe a do rimbursohen mjetet, apo ky është një mashtrim i radhës për blerje të kohës që ndoshta prindërit asnjëherë nuk do i marrin këto mjete”.

Ekzekutivin aktual ajo e konsideroi si “qeveri e turpit dhe për faqe te zezë!”.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, kur kanë mbetur më pak se 10 ditë deri në nisjen e vitit të ri shkollor, vazhdimisht është munduar ta arsyetojë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

Ata kanë pretenduar se me iniciativën që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e teksteve shkollore e pastaj t’ua rimbursojnë paratë përmes platformës online “eKosova”, duke prishur kështu zinxhirin dekadash të blerjes së librave, po e kursejnë buxhetin e shtetit dhe po i denoncojnë çmimet e larta.

Ndërsa, zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka thënë se deri në ora 16:00, për subvencionimin e teksteve shkollore në platformën e-Kosova janë pranuar 32,800 aplikime.

Kjo platformë u krijua pas dështimit të Qeverisë për t’i siguruar tekstet mësimore për nxënësit.

Aplikimi ka filluar nga e premtja e 25 gushtit dhe do të jetë i hapur deri në fund të muajit shtator.

Kelmendi, për dallim nga e premtja ku sistemi ishte i bllokuar për disa orë, theksoi se këtë të shtune çdo gjë ka shkuar mirë.

“Sistemi është duke funksionuar mirë dhe me mbështetjen e MPB-së dhe AShI-së ekipet do të ofrojnë shërbim për mbështetje teknike edhe ditëve të fundjavës prej orës 09 deri në 16 në numrin 0800 30 900”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.

Zëvendësministri i Arsimit pohoi se tanimë shtëpitë botuese i kanë publikuar çmimet e kopertinës së librave dhe se “ato nuk mund rriten”.

Po ashtu ato i kanë publikuar pikat e shitjes për të gjitha komunat.

Mbi 32 mijë aplikime për subvencionimin e teksteve shkollore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore