Lajme

Mbi 32 mijë aplikime për subvencionimin e teksteve shkollore


Ilustrim

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka thënë se deri në ora 16:00, për subvencionimin e teksteve shkollore në platformën e-Kosova janë pranuar 32,800 aplikime.

Kjo platformë u krijua pas dështimit të Qeverisë për t’i siguruar tekstet mësimore për nxënësit.

Aplikimi ka filluar nga e premtja e 25 gushtit dhe do të jetë i hapur deri në fund të muajit shtator.

Kelmendi, për dallim nga e premtja ku sistemi ishte i bllokuar për disa orë, theksoi se këtë të shtune çdo gjë ka shkuar mirë.

“Sistemi është duke funksionuar mirë dhe me mbështetjen e MPB-së dhe AShI-së ekipet do të ofrojnë shërbim për mbështetje teknike edhe ditëve të fundjavës prej orës 09 deri në 16 në numrin 0800 30 900”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.

Zëvendësministri i Arsimit pohoi se tanimë shtëpitë botuese i kanë publikuar çmimet e kopertinës së librave dhe se “ato nuk mund rriten”.

Po ashtu ato i kanë publikuar pikat e shitjes për të gjitha komunat.

“Rastet e veçanta kur një fëmijë është regjistruar më herët se mosha 6 vjeçare në klasën e parë po trajtohen duke e dërguar numrin personal të fëmijës, emrin e shkollës dhe Komunën në emailin [email protected]”, përfundoi ai.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagvci, të premten tha se deri në ora 19:00 kishin aplikuar 11,800 prindër ose kujdestarë ligjorë për subvencionimin e teksteve shkollore.

Aplikimi po bëhet përmes platformës e-Kosova, mirëpo në ditën kur u lansua kjo platformë, për disa orë ishte e bllokuar.

Ashtu siç parashikohej, bllokohet platforma E-Kosova

Ministrja Nagavci, dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, kur kanë mbetur më pak se 10 ditë deri në nisjen e vitit të ri shkollor, vazhdimisht është munduar ta arsyetojë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

Ata kanë pretenduar se me inciativën që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e teksteve shkollore e pastaj t’ua rimbursojnë paratë përmes platforës online “eKosova”, duke prishur kështu zinxhirin dekadash të blerjes së librave, po e kursejnë buxhetin e shtetit dhe po i denoncojnë çmimet e larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore