Lajme

Qendra Evropiane për Lirinë e Medias për rastin e Klan Kosovës: Jemi të tmerruar nga ky vendim


Qendra Evropiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit, ka reaguar ndaj vendimit që Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” për rikthimin e licencës së operimit.

Përmes një postimi në Twtitter, nga ECPMF kanë thënë se “jemi të tmerruar kur mësojmë se Ministria e Tregtisë në Kosovë ka përfunduar sot të gjithë hapat e nevojshëm për mbylljen e medias më të madhe private në vend Klan Kosova”.

Ndryshe, televizioni më i madh në Kosovë “Klan Kosova” mund të mbyllet krejtësisht, pasi Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka njoftuar se ka refuzuar ankesën e televizionit për rikthimin e licencës së operimit.

Sipas njoftimit të MINT “ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k”.

Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës.

“Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhet në njoftim.

Çka ndodhi me Klan Kosovën?

Më 14 qershor, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes një komunikate për media kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare televizionit Klan Kosova.

“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes”, thuhej në njoftim.

Sipas MINT, në bazë të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare ‘KLAN KOSOVA’ SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë.

Komisioni i Pavarur për Media (KPM), pas një takimi që ka mbajtur më 16 qershor, i kishte dhënë afat prej 30 ditësh televizionit Klan Kosova, që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në ARBK.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kishte bërë thirrje që të lejohet kohë dhe të mos ketë presione për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, në pritje të vendimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Medieve.

Shtatë organizata kryesore ndërkombëtare për lirinë e mediave dhe grupet e gazetarëve kishin bërë thirrje që certifikata e përditësuar e biznesit të Klan Kosovës të pranohet nga komisioni i ankesave.

Po ashtu, kishin kërkuar që të ndërpriten menjëherë të gjitha përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për t’i bërë presion medias.

Televizioni kombëtar privat, Klan Kosova, ka nisur transmetimin më 17 shkurt të vitit 2009.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore