Gatimi

Qafë gici në furrë, ideale për fundjavë


Kjo recetë e mishit të gicit në furrë, gatuar me verë të kuqe dhe shoqëruar me perime, është një pjatë që kërkon pak kohë, por është shumë e shijshme. Ndiqni hapat dhe këshillat nga chefi dhe përgatisni një pjatë speciale, shoqëruar me garniturën e duhur.

Kjo recetë sugjerohet nga shefi i kuzhinës Renato Mekolli.

Përbërësit: 1.5 kg qafë gici, 1 gotë verë e kuqe, 100 gr djathë kaçkavall, 2 lugë mustardë, 1 qepë, 1 spec jeshil, 1 spec të kuq, 1 spec djegës, 5 thelpinj hudhre, 2 lugë rigon, kripë, piper, vaj ulliri.

Përgatitja

Në një tigan vendosim vaj ulliri dhe skuqim copën e mishit ashtu siç është, të paprerë, derisa të marrë ngjyrë.

Ndërkohë presim perimet në rripa dhe të gjithë përbërësit e tjerë i përziejmë bashkë në një enë.

Shtojmë në enë mishin ashtu të ngrohtë dhe e mbulojmë me perimet.

E lëmë për 2 orë të marinohet mirë dhe më pas e mbyllim me letër furre.

E pjekim në furrë në temperaturën 190 gradë për 3 orë.

Heqim letrën e furrës dhe vazhdojmë pjekjen për 10 minuta të tjera, derisa mishi të marrë ngjyrë.

Këshillë

Shija e mishit kombinohet me produkte si: angjinare (artiçok), avokado, lulelakër, koriandër, kërpudha, patate, fasule, domate, qepë, piper i ëmbël, limon, lakër e bardhë, patëllxhan, qepë, mustardë, gaforre, djathë Parmigiano.

Për garniturë mund të përdorni një salcë kërpudhash dhe patatesh të pjekura, të përziera me fasule të ziera dhe domate gjysmë të thata, apo si një pjatë e thjeshtë klasike shoqëruar me asparagus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore