Lajme

Pushteti sfidohet sërish nga Opozita – PDK e LDK e çojnë në Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran


Foto: Albanian Post

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim Ligjin për Fondin Sovran duke e cilësuar këtë ligj si “diskriminues” me 11 nene “anti-kushtetuese” dhe duke e akuzuar Qeverinë se po përpiqet që krijojë monopol.

Deputeti i kësaj partie Ferat Shala, ka thënë para gazetarëve të martën se Ligji për Fondin Sovran do duhej të suprimohej.

“Jemi të bindur që do të duhej të kthehej ky ligj tashmë i miratuar në Kuvend dhe t’i kthehemi normalitetit ekonomik. Dështimet ekonomike që i ka arritur në këto tri vite në këto ndërmarrje, po orvatet të vendosë një superstrukturë menaxhuese për të krijuar pabarazi dhe linja të tjera të kontrollit”, tha Shala.

Ndërsa përfaqësuesi ligjor i PDK-së, Faton Fetahu, ka thënë se Ligji për Fondin Sovran i ka 11 nene të papajtueshme me Kushtetutën, ndërsa sipas tij, Qeveria po përpiqet të krijojë monopol.

“Kemi vlerësuar se janë 11 nene që konsiderojmë se janë të papajtueshme me së paku 7 nene të Kushtetutës. Edhe neni për rolin investues të Fondit Sovran e krijimin e ndërmarrjeve të cilat njihen si ndërmarrje private, në këtë mënyrë krijon monopolin”, theksoi Fetahu.

Dy ditë më parë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte quar në Kushtetuese ligjin në fjalë, derisa sipas ish-kryeministri Avdullah Hotit, tani deputet i LDK-së, Fondi Sovran dëmton konkurrencën, investimet private, ndërmarrje publike dhe buxhetin e shtetit.

“Pra, Qeveria përcakton se cilat kompani private përfitojnë nga investimet e Fondit. Ky veprim e kufizohen drejtpërdrejt konkurrencën e lirë. Për më tepër, kjo qasje paraqet kapje të sektorit privat nga Qeveria sipas modelit kinez të kapitalizmit shtetëror”, pati thënë Hoti.

Për Hotin, kjo politikë ekonomike është “reminishencë e komunizmit”, ku ndërmarrjet shtetërore të atëhershme e financonin njëra-tjetrën derisa i gjithë sistemi ekonomik dhe financiar i asaj kohe kolapsoi nga joefiçiencat masive.

Ligji për Fondin Sovran nga Qeveria e Kosovës u proklamua si projekti më i madh ekonomik në vendos, projekt ky i cili, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, vendos Kosovën në hartën e tregjeve botërore financiare.

Sipas Qeverisë, Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës. Fondi do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Korporatës së Thëngjillit, PTK.

Ndryshe, më 15 dhjetor, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Fondin Sovran me 62 vota pro dhe asnjë kundër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore