Shqipëria

Publikohen ndryshimet në Rregulloren e Kodit Rrugor të Shqipërisë


Ndryshimet në Rregulloren e Kodit Rrugor të Shqipërisë janë publikuar në Fletoren Zyrtare. Këtu përfshihen ndryshime që lidhen me drejtuesin e mjetit, formimin dhe kualifikimin, lehtësim praktikash, risi për shërbimet e DPSHTRR-së si edhe për sektorin e Autoshkollave, masa shtrënguese etj.

Përkatësisht do të rritet vlefshmëria e provimit të fituar të teorisë nga gjashtë muaj në një vit. Si dhe janë zgjatur afatet e vlefshmërisë së autorizimit të praktikës duke i bërë më fleksibël ato kundrejt një kategorie të gjerë, që për arsye të ndryshme – kryesisht të mosprezencës në Shqipëri – nuk arrijnë të kapin afatet.

Gjithashtu janë reformuar kërkesat e fitimit të kategorisë “AM” duke prezantuar edhe provën e aftësive praktike të drejtimit krahas asaj teorike në ngjashmëri me modele evropiane (psh. Gjermania). Kryhet përputhshmëri e plotë me Direktivën 2006/126/KE, të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, e 20 dhjetorit 2006, mbi lejet e drejtimit dhe praktikat e aplikuara për pajisjen me leje së drejtimi të kategorisë “AM” nga disa shtete evropiane.

Forcim i masave shtrënguese për drejtuesit e mjeteve që kanë humbur totalin e pikëve të cilët detyrimisht do të ndjekin kurs kualifikimi për një edukim mbi sjelljet e gabuara që kanë sjellë humbjen totale të pikëve të lejedrejtimit, pranë autoshkollave të licencuara.

Pas këtij kursi kandidati i nënshtrohet provimit teorik për normat e sjelljes si dhe provimit praktik mbi vlerësimin e sjelljes së drejtuesit gjatë situatave me risk të lartë në qarkullim.

Ky sanksionim sjell ndërgjegjësim, rehabilitim dhe rritje të sigurisë në rrugë duke shtuar kërkesat për rifitimin e lejedrejtimit, pasi kjo kategori mbetet problematike në kryerjen e shkeljeve të përsëritura deri me pasoja të rënda.

Krijohet mundësia ligjore për kalimin nga lejedrejtimi e kategorisë “B” në lejedrejtimi të kategorisë “D” pas përmbushjes së kritereve të vjetërsisë prej tre vite kategori me lejedrejtimi “B” dhe moshës së drejtuesit të mjetit 24 vjeç, pa qenë e nevojshme lejedrejtimi i kategorisë “C”.

Pra nëse p.sh. synohet puna me mjet Taksi nuk ka përse kalohet nga kualifikimi për lejedrejtimi “C” (kategoria për transport mallrash).

Mundësohet regjistrimi për marrjen e kategorisë “A” pasi ke mbushur moshën 24 vjeç, pa qene e nevojshme marrja e kategorisë “A2” prej dy vjetësh.

Për herë të parë DPPSH dhe DPSHTRR marrin rol aktiv për rritjen e sigurisë rrugore dhe pezullimin e lejedrejtimit të personave që janë përdorues të lëndëve narkotike e psikotrope.

Në çdo rast që merret informacion për individë (nga kontrollet rrugore apo çdo hetim/testim tjetër) me analizë pozitive, DPPSH ia përcjell DPSHTRR-së dhe personit automatikisht i pezullohet lejedrejtimi.

Kjo e fundit do të vijojë deri kur të vërtetohet rezultati negativ përmes analizës toksikologjike të kryer vetëm nga institucioni shtetëror kompetent.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore