Sport

PSG kritikon arbitrin pas humbjes kundër Nantes


Drejtori sportiv i Paris Saint-Germain, Leonardo ka kritikuar publikisht gjyqtarin francez Mikael Lesage, i cili ishte në krye të ndeshjes së liderëve të Ligue 1 kundër Nantes të shtunën.

Skuadra e Mauricio Pochettino humbi 3-1 jashtë në Nantes, vetëm pak ditë pasi mposhti Real Madrid-in 1-0 në Paris, në ndeshjen e parë të raundit të 16-ave të Ligës së Kampionëve.

“Mbrojtësi i Nantes Dennis Appiah duhej të kishte marrë kartonin e dytë të verdhë për penalltinë ndaj Mbappe”, tha Leonardo.

“Dhe një i verdhë i dytë, logjikisht, do të thotë karton i kuq dhe përjashtim. Përveç kësaj, arbitri nuk dha shumë faulle ndaj lojtarëve tanë”.

“Por jo, ai tha: ‘Jo, janë Mbappe dhe Neymar, unë nuk jap asgjë. Janë Lionel Messi dhe PSG, unë nuk jap asgjë’.

“Mund ta kem gabim. Pas humbjes, ne e pranojmë humbjen dhe do të mësojmë nga kjo. Ka shumë gabime, gjëra që nuk i kemi bërë mirë”.

“Unë nuk thashë që ne humbëm për shkak të tij. Mos filloni. Shikoni imazhet dhe më pas gjykoni. Ne humbëm, por po flas për fakte të lojës që ishin shumë të qarta për mua. Por nëse ju nuk jeni dakord, unë e respektoj atë. Është mendimi im”.

Mesfushori i PSG-së, Marco Verratti, nuk ishte i kënaqur as me arbitrimin e Lesage të shtunën dhe u shpreh i shqetësuar pas humbjes kundër Nantes.

“Si ka mundësi që Appiah të mos marrë karton të verdhë? pyeti italiani.

“Ai kishte një të verdhë, me të dytën do ndëshkohej me të kuq, ishte një penallti. Ndonjëherë duhet të marrësh përgjegjësinë, por arbitri na prishi”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore