Lajme

Pse SHBA-të po i sjellin afganët drejt vendeve të treta?


Afganët e parë, që kanë punuar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbërritën në Ugandë.

Nga aty, ata do të vlerësohen për të parë nëse familjet e tyre kanë të drejtë për të udhëtuar me vizë amerikane.

Nuk është e sigurt nëse ata do të arrijnë ndonjëherë në SHBA.

SHBA-të dhe aleatët e tyre kanë evakuuar më shumë se 100 mijë njerëz nga Kabuli, që kur talebanët morën pushtetin në mes të gushtit.

Shumica e tyre janë të larguar nga ushtria amerikane, ku fillimisht u shpërndanë nëpër baza të ndryshme ushtarake.

Ushtria amerikane, në një deklaratë për shtyp, njoftoi se, deri të enjten e 26 gushtit, ishin evakuuar në Gjermani 14 mijë e 500 njerëz.

Ndërkohë, një total prej 3 mijë e 500 njerëzve tashmë kanë udhëtuar për në SHBA.

Afganët, megjithatë, nuk ishin në mesin e këtyre të fundit.

Personeli lokal afgan, i cili përfshin njerëz që punuan për ushtrinë, institucionet diplomatike ose organizatat e tjera amerikane dhe familjet e tyre, për momentin, ndodhen në bazën ushtarake gjermane.

Kontrolle të rrepta të vizave

Mijëra punonjës amerikanë janë evakuuar, por vetëm një mijë e 200 prej tyre kanë mbërritur në të vërtetë në Amerikë.

Për qeverinë e SHBA-ve, Gjermani është vetëm një vend transit, por është ende e paqartë se ku do të çohen refugjatët që presin aty.

Me sa duket, qeveria amerikane ka si qëllim të shpërndajë sa më shumë staf lokal në vendet e treta, derisa kërkesat e tyre për vizë të jenë kontrolluar dhe miratuar.

Javën e kaluar, Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, njoftoi se 12 vende partnere tashmë kishin rënë dakord të pranonin stafin afgan: Shqipëria, Kanadaja, Kosta Rika, Kili, Kosova, Maqedonia e Veriut, Meksika, Polonia, Katari, Ruanda, Ukraina, Uganda dhe Kolumbia.

Program special për viza për stafin afgan

SHBA-të kanë një program të Vizave Emigruese Speciale (SIV) për punonjësit afganë lokalë që nga viti 2009.

Sipas saj, ata do ta kenë më të lehtë të marrin një leje qëndrimi të përhershëm në Amerikë.

Deri më sot, rreth 76 mijë afganë janë pajisur me SIV.

Në fund të qershorit të këtij viti, qeveria amerikane lehtësoi kriteret e pranimit të programit për të përfshirë njerëzit që kishin punuar për organizatat amerikane vetëm për një periudhë të shkurtër kohore.

Pengesa të pafundme burokratike

Një ekspert emigracioni, Alex Nowrasteh, beson se gjatë 20 viteve të fundit, numri i njerëzve, që kanë fituar të paktën një të drejtë teorike për një SIV, është  shumë më i madh.

“Në shumë raste”, tha ai, “nuk kishte të dhëna për kontratat ose pagat e paguara stafit afgan”.

Ose këto nuk ishin dokumentuar fare, ose regjistrimet ishin shkatërruar që atëherë.

Nowrasteh theksoi se nuk donte të nënkuptonte qëllimin, por se e kishte të vështirë të dilte me ndonjë shpjegim tjetër.

“Mënyra se si është vendosur procesi, mënyra se si burokracia e menaxhon situatën, është sikur ata nuk duan që dikush të vijë”, komentoi ai.

Shumë njerëz kanë kritikuar Biden – si një mbështetës i një politike më të hapur emigracioni – se pse nuk po e bën më të lehtë për afganët që të vijnë në SHBA.

Në një pjesë analize për rrejtin amerikan televiz “CNN”, gazetarja Maeve Reston komenton se politika e imigracionit ka qenë një çështje e paqëndrueshme politike për administratën Biden që para rënies së Kabulit.

Marrë nga Deutsche Welle, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore