Shqipëria

PS-ja propozon emrin e kandidatit për president pas raundit të tretë, thotë Balla


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialsite, Taulant Balla, deklaroi se nëse pas raundit të tretë opozita nuk ka një kandidat për president, socialistët do të bëjnë propozimet e tyre.

Balla zbuloi detajet e reja të bisedimeve gjatë një konference për shtyp para mediave.

“Do kemi një president në raundin e katërt, jo se do respektojmë marrëveshjen. S’do të ketë asnjë emër deri në raundin e tretë, nuk ka asnjë dyshim”, theksoi fillimisht përfaqësuesi socialist.

Sipas tij, nëse presidenti nuk do të jetë zgjedhur në raundet e para, socialistët do të zgjedhin në raundet pasuese.

Sa i takon marrëveshjeve, Balla shtoi se është dakordësuar të martën dhe të mërkurën.

Madje, kreu i grupit socialist ravijëzoi se Fatmir Mediu dhe Mesila Doda (2/3 e opozitës) kanë qenë të gatshëm që të hyjnë që në raundin e parë me emra.

“Kemi dashur që të jemi të gjithë. Të vazhdojmë përpjekjet”, nënvizoi më tej Balla.

Ndër të tjera, përfaqësuesi socialist ftoi opozitën (Grupin Parlamentar të PD-së) që të rikthehet në tryezë.

Kjo, pas tërheqjes së PD-së nga mbledhja e grupit për zgjidhjen e një presidenti konsensual.

“Bëj thirrje që të rikthehemi në tryezën të ulemi dhe të diskutojmë emrat. Dua të theksoj se nuk ka pasur pasur dakordësi për formulën 4/2″, deklaroi në vijim kreu i grupit socialist.

Sipas tij, marrëveshja me opozitën do të prishet nëse katër propozimet për kandidatë për president nuk përmbushin kriteret.

“Nëse sjellin katër emra që nuk përmbushin pritshmëritë për presidentin, do prishet marrëveshja”, ravijëzoi ai.

Balla u shpreh në përmbyllje se negociatat për zgjedhjen e Kreut të Shtetit, duhet të jenë të hapura.

“Ndaj kemi thënë se ky proces duhet të jetë proces më i lirë, negociatat duhet të jenë të hapura. Nuk mund të thuash; zgjidh një nga këto të katër ose të denoncoj për prishjen e marrëveshjes”, theksoi më tej përfaqësuesi socialist.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore