Lajme

Protestuesit e pakët në Veri, Muja: Më shumë kanë vota kryetarët se sa pati protestues


Deputeti i Levizjes Vetevendosje, Armend Muja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se numri i protestuesve serbë të Kosovës në komunat Veriore, këtë të marte ka qenë më i vogël se sa numri i atyre që kanë votuar kryetarët e komunave Veriore.

Sipas Mujës “pjesëmarrja në protestat e sotme në komunat veriore ishte kështu: Në Zubin Potok dhe Leposaviq nga 120 veta ndërkaq në Zveçan afër 100 veta”.

“Gjithsej rreth 340”, thotë ai.

Kryetarët shqiptarë në komunat Veriore të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit – kjo pasi serbët kishin bojkotuar këto zgjedhje – ishin kritikuar për numrin e vogël të votave, dhe nisur nga kjo, shumë kush e kishte kontestuar legjitimitetin e tyre.

Mirëpo, deputeti i VV-së, pasi që dha numrat e protestuesve të së martës potencon se “legjitimiteti i ulët i kryetarëve të rinj nuk po del edhe aq i ulët”.

“Në fakt më shumë kanë vota ata, së bashku 411, sesa pati protestues sot në këto tri komuna”, pohon ai.

Në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat në Veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Leposaviq, nga mbi 40 mijë qytetarë me të drejtë vote, të drejtën e tyre e kanë shfrytëzuar pak më shumë se 1 mijë.

Këto zgjedhje ishin bojkotuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, veçanërisht nga partia më e madhe; Lisat Serbe.

Lista Serbe – e cila dirigjohet nga Beogradi – i kishte bërë thirrje dhe i kishte kërcënuar qytetarët serbë, dhe këtë së bashku me institucionet e Serbisë, që të bojkotohen këto zgjedhje.

Ndryshe, edhe të martën e 6 qershorit kanë vazhduar protestat e nisura që nga maji në tri komunat në Veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Mirëpo për dallim nga ditët e para të protestës, këtë të martë është raportuar për një numër më të vogël të protestuesve të pranishëm.

Në mesin e protestuesve kanë qenë kryesisht punëtorët e institucioneve komunale në sistemin paralel serb.

Ndërsa, në Zveçan janë hequr edhe një pjesë e telave gjemborë përreth ndërtesës komunale.

Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it, kryesisht të kontingjentit italian dhe atij hungarez.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.

Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore