Lajme

Protestë para organeve të rendit në Ferizaj, pas vrasjes së 18 vjeçares


Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka organizuar një protestë pas vrasjes së vajzës 18 vjeçe në Ferizaj.

Protesta do të mbahet sot (e martë), pranë Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë në Ferizaj, në shenjë revolte ndaj kësaj dhunës.

Në njoftim të organizatës thuhet se kërkesat e protestës janë “adresimi i fenomenit të femicidit ashtu siç e parasheh Konventa e Stambollit, dënim maksimal për vrasësit, siguri për vajzat dhe gratë në të gjitha hapësirat, dhe trajtim të drejtë të dhunës me bazë gjinore ndaj grave nga Qeveria e Kosovës”.

Një natë më parë, i dyshuari për vrasjen e M.O., Dardan Krivaqa është parë në lagjen ku të dielën rrahu për vdekje gruan e tij, me të cilën ishte martuar veç dy muaj më parë.

Banorët kanë lajmëruar Policinë rreth orës 20:30, por Krivaqa kishte arritur të largohej shpejtë ende pa ardhur forcat policore.

Dëshmitarët që e kanë parë kanë thënë për Klan Kosova se Dardan Krivaqa ka ndryshuar pamjen duke i prerë flokët dhe se ka tentuar që të mos bjerë në sy,  i veshur me një bluzë e kapele, në mënyrë që banorët e lagjes të mos e identifikojnë.

Policia është duke vazhduar kërkimin e tij dhe ka kërkuar nga qytetarët që të vazhdojnë të raportojnë nëse e shohin diku.

Në anën tjetër Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky rast, është më shumë se skandal.

Ajo vë në pah neglizhencën e gjyqtarit i cili nuk e ka shqyrtuar deri në fund aktakuzën për tentimvrasje, ngritur më 2013 ndaj Dardan Krivaqës, tashmë i dyshuar kryesor për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj.

Haxhiu pret nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që të sqarojë se për cilin gjyqtar bëhet fjalë dhe të merren masa disiplinore ndaj tij.

”Në këtë drejtim nuk kemi mandat si Ministri e Drejtësisë të nisim procedura disiplinore ndaj gjyqtarit në rastin konkret. Këshilli Gjyqësor i Kosovës besoj që nesër duhet të dalë me deklaratë e të sqarojë se cili është ai gjyqtar dhe të nis procedura disiplinore në raport me atë gjyqtar”.

”Sa herë po kemi raste të tilla të vrasjeve të rënda makabre, po shohim edhe një skandal tjetër nga sistemi i drejtësisë, apo dhe nga ai i sigurisë, policia. Pra, në këtë rast është pak të thuhet se është skandal, më 2013 është ngritur aktakuza për të dyshuarin kryesor – kanë kaluar afër tetë vjet, dhe ende nuk është mbajtur shqyrtimi në raport me këtë rast. I dyshuari kryesor është lënë në liri, dhe nuk është thirr seanca apo shqyrtimi gjyqësor”.

Haxhiu tutje u shpreh se për të evituar këto raste kriminale, janë duke u angazhuar në maksimum për sistemin e vetingut.

”Nuk jam e interesuar, e as qeveria jonë, që vetingu të dështoj. Edhe Ministria e Drejtësisë edhe Qeveria do të punojnë në këtë drejtim dhe do ta finalizojmë njërën nga format më të mëdha në sistemin e drejtësisë, siç është vetingu”.

”Planifikimet tona janë që brenda këtij viti të përmbyllen ndryshimet qoftë kushtetuese, qoftë ligjore”.

Përveç organizatave të cilat mbrojnë interesat e grave në Kosovë, një ditë me parë, për këtë rast ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke shkruar në llogarinë e tij në Facebook.

“Na duhet angazhim maksimal i institucioneve dhe çdo njërit nga ne për të respektuar te drejtën për të gëzuar jetën, për ta jetuar atë dinjitetshëm dhe për të realizuar aspiratat legjitime”, ka shkruar Kurti.

Ka reaguar edhe Presidentja e venit, Vjosa Osmani.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se “për të duhet të ketë drejtësi e dënim për ata që po i kryejnë këto krime makabre ndaj grave e vajzave të Kosovës që të ndryshojnë situatën e trishtë të pabarazisë me të cilën përballemi sot në Kosovë”.

Flet babai i 18 vjeçares: Vajza ka qenë e frikësuar

Babai i viktimës 18 vjeçare nga Ferizaj, Muhabi Osmani, ka thënë se vonë e ka kuptuar se vajza e tij ka qenë me një person që ka pasur vepra kriminale.

Ai ka thënë për RTK se është shumë i tronditur me rastin dhe po pret që organet e rendit dhe ligjit ta zbardhin deri në fund. Ta kapin personin e dyshuar i cili, siç thotë ai, i mori jetën vajzës së tij.

Babai i 18 vjeçares lutet që ky rastet të jetë i fundit.

Ai apelon që prindërit të kenë kujdes dhe të përcjellin fëmijët e tyre se me kënd shoqërohen.

Osmani thotë se vajza ka jetuar afër dy muaj me të dyshuarin, por siç thotë ai, vajza e tij ka qenë në presion dhe është frikësuar ti tregoj familjes për dhunën që i ka ushtruar personi që tashmë është në arrati.

Ai shton se vazhdimisht e kanë pyetur, por 18 vjeçarja nuk ka treguar asgjë, sepse ka qenë në presion psikik

Muhabi Osmani shprehet i mllefosur me organet e drejtësisë se si e kanë lënë në liri një person të dyshuar për disa vepra penale.

“Gjyqësori do të duhej të merrte masa ndaj këtij personi i cili familjen time e goditi keq. Jemi shumë te shqetësuar për këtë që më ka ndodhë”.

Ndizen qirinj në nderim të 18-vjeçares së vrarë në Ferizaj

Dhjetëra të rinj nën organizimin e Sektorit të Rinisë të Komunës së Ferizajt, kanë ndezur qirinj në sheshin e qytetit, duke ndarë dhembjen me rastin tragjik të vrasjes së 18-vjeçares M.O.

“Dënim kryesve, drejtësi për viktimën! Ngushëllime familjes!”, thuhet në një postim në Facebook.

Qirinj ndizen edhe në Gjakovë

Te parku i qytetit në Gjakovë, pranë shtatores së Nënë Terezës, janë ndezur qirinj në kujtim të 18 vjeçares së vrarë nga Ferizaj.

Nga Këshilli për Veprim Rinor Lokal thanë se si shoqëri ndjehen të prekur nga ky rast.

“Drejtësia duhet vënë në vend. Duhet të ketë reagim institucional por poashtu edhe nga shoqëria kosovare që këto raste të dënohen maksimalisht. Vrasjet makabre sikur kjo e sotmja shpresoj të mos përsëritet kurrë më”, shkroi në një postim në Facebook, kryetari i KVRL, Ideal Zhaveli.

Edhe mediat e huaja raportojnë për vrasjen e 18 vjeçares në Kosovë

Portali gjerman Focus.de përmes një artikulli ka raportuar për vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaj nga i dashuri i saj, me të cilin dyshohet se ishte e martuar.

“Mjekët kanë konfirmuar vdekjen e saj dhe sipas zyrës së prokurorit publik, viktima ishte abuzuar fizikisht dhe ka vdekur si pasojë e plagëve të marra. Policia po heton me presion të lartë. Duke përdorur kamerat e vëzhgimit të spitalit, oficerët ishin në gjendje të identifikonin vendin e krimit dhe të dyshuarit”, shkruan Focus.de.

Dardan Krivaqa, 29-vjeçari nga Ferizaj

Është i njohur për Policinë dhe Prokurorinë e Ferizajt si recidivist i disa veprave penale.

“Pas verifikimit në regjistrat tanë, personi në fjalë (D.K) është recidivist i veprave të ndryshme penale si ‘Vjedhje e rëndë’, ‘Lëndim i lehtë trupor’, ‘Kanosje’, ‘Lëndim i rëndë trupor’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për Albanian Post, Vjosa Baftiu, pa dhënë më shumë detaje rreth kryerjes së këtyre veprave penale, përfshirë edhe kohën kurë kanë ndodhur rastet.

Edhe punëtorëve të Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, u ka dalë punë me të dyshuarin për vrasje tash, Dardan Krivaqa.

Pasi që në vitin 2007, ai kishte qenë i mitur kur kishte kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”.

“Ky rast na është përcjellë nga Gjykata Themelore në Ferizaj dhe ne si qendër i kemi ofruar këshillime psikosociale, vizita në familje, intervenime që na lejohen me kompetencat që kemi”, tha për Albanian Post drejtoresha e QPS në Ferizaj, Adelina Regjepi Braha.

I lindur në vitin 1992, Dardan Krivaqa ka ndjekur mësimet në shkollën fillore “Gjon Serreçi”.

Gjatë gjithë periudhës së shkollimit fillor, ai “ka qenë djalë problematik”, tregojnë ish-shokët e klasës së tij, për Albanian Post, pa treguar identitetin, për shkak të “frikës nga hakmarrja”.

“Shumë shpesh kanë ardhur policia në shkollë për shkak të tij, ka mbajt thikë e na tutke edhe në shkollë”, vazhdon më tej rrëfimin i riu nga Ferizaj.

“Edhe çikat i ka ngucë gjithë, tip problem. Pas një kohe kemi dëgjuar që ka shkuar në Francë, atje e ka një vëlla, nuk e di saktë kur ka shkuar”, përfundon rrëfimin e shkurtër një ish nxënës i klasës së Dardan Krivaqës.

Policia rajonale e Ferizajt ka shpërndarë gjithandej fotografitë e 29-vjeçarit Dardan Krivaqa, duke kërkuar nga të gjithë qytetarët që të ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e tij.

Bashkë kryesi i kësaj vepre penale A.S., 32 vjeç është arrestuar nga Policia dhe po mbahet në paraburgim me vendim të prokurorit.

“Është rrahur për vdekje”, kanë treguar për Albanian Post, burime brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, për rastin e M.O, 18-vjeçe, e cila u la pa shenja jete në Emergjencën e Ferizajt të dielën rreth orës 15:00.

Raporti i obduksionit të trupit të pajetë të 18-vjeçares do t’i dorëzohet organeve hetuese të Prokurorisë.

Dardan (Emrush) Krivaqa

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore