Lajme

Ndizen qirinj në nderim të 18-vjeçares së vrarë në Ferizaj


Dhjetëra të rinj në organizim të Sektorit të Rinisë të Komunës së Ferizajt, kanë ndezur qirinj në sheshin e qytetit, duke ndarë dhembjen me rastin tragjik të vrasjes së 18-vjeçares M.O.

“Dënim kryesve, drejtësi për viktimën! Ngushëllime familjes!”, thuhet në një postim në Facebook.

Ndërkaq Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka thirrur protestë për të martën pas vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj.

“Të mllefosura nga ky rast dhe realiteti i frikshëm në të cilin jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë, ne do të protestojmë nesër pranë Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë, si revoltë ndaj dhunës dhe femicidit në Kosovë dhe dështimit institucional”, thuhet në njoftim të QKSGJ.

“Ky rast, sikundër rastet e mëhershme të vrasjes së grave, nuk është rast i izoluar. Ky rast është veç shpërfaqje e mendësisë dhe praktikave patriarkale dhunuese të cilat po ushqehen nga të gjitha institucionet private e publike në Kosovë, për çka ne do të mblidhemi e të kundërshtojmë. Dhuna me bazë gjinore dhe vrasja e grave janë shqetësim për sigurinë dhe shëndetin publik në Kosovë dhe si të tilla kërkojnë vëmendjen e duhur institucionale”.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në komunën e Ferizajt, Shukri Jashari, ka thënë se i dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, ishte i njohur për prokurorinë e policinë. Megjithatë, ende nuk dihen shkaktarët e vdekjes.

Jashari në një konferencë për media ka theksuar se ende nuk dihen shkaktarët e vdekjes së 18 vjeçares për shkak se nuk është bërë i ditur ende raporti i autopsisë.

“Sa i përket personit me inicialet D.K, është person i njohur për policinë dhe për prokurorinë i cili ka një numër të rasteve të cilat tashmë janë të mbyllura. Ka qenë i dyshuar dhe i akuzuar për vrasje, raste të natyrave të ndryshme penale”, ka thënë Jashari.

Ndryshe, Dardan Krivaqa, 29-vjeçari nga Ferizaj, i cili është në arrati dhe po kërkohet nga Policia e Kosovës, si i dyshuari kryesor për vrasjen e M.O, 18-vjeçare, bashkë me A.S, 32 vjeç, i cili është në duar të policisë dhe i është caktuar masa e paraburgimit deri në fillim të procedurave ndaj tij, me vendim të prokurit të rastit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore