Lajme

Protesta e artistëve, anulon vendimin e ministrisë


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë.

Lista përzgjedhëse e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për blerjen e veprave të artit nga artistët e Kosovës në kuadër të Pakos së rimëkëmbjes ekonomike është kundërshtuar nga një pjesë e komunitetit artistik të arteve vizuale.

Të enjten e nëntë dhjetorit një numër i artistëve kanë shprehur pakënaqësitë e tyre para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), vërejtja e tyre ishte rreth shumave që janë dhënë për blerje të disa prej veprave.

Por, pas mbajtjes së kësaj proteste, ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se ka anuluar këtë vendim.

“Për shkak të pakënaqësive të shumta nga komuniteti artistik në lidhje me përzgjedhjen e veprave të artit për blerje nga shteti, Ministria e Kulturës ka marrë vendim të anulojë tërë procesin”.

Pamje nga protesta e artistëve.

“Angazhimi ynë për të mbështetur dhe fuqizuar skenën e pavarur kulturore të Kosovës nuk do të ndalet”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Ndërkaq, nga kjo ministri kanë thënë se do të vazhdojnë të punojnë në shërbim të këtij komuniteti.

“Mbesim të përkushtuar të zhvillojmë procese gjithëpërfshirëse në shërbim të komunitetit artistik”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Kërkesa e këtyre të fundit ishte anulimi në tërësi i vendimit për listën e përzgjedhjes së veprave të artistëve dhe se i gjithë procesi kërkohej që të kthehej nga zero.

Dokumenti për anulimin e blerjes së veprave të artit nga MKRS.

Procesi i përzgjedhjes së blerjes së veprave të artit, ka kaluar në dy faza të vlerësimit.

Në fazën e parë shqyrtimi është bërë nga një juria në përbërje të: Zake Prelvukaj, Arta Agani dhe Vesa Sahatçiu.

Ndërsa në fazën e dytë shqyrtimi është bërë nga: Sislej Xhafa, Eleni Laperi dhe Dita Starova-Qerimi”, thuhej në njoftimin e MKRS-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore